Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” në ditën e 16-të të protestës kundër qeverisë.
Protestues nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit po mblidhen në qendër të kryeqytetit, ndërsa më pas pritet të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar mobilizimin e përditshëm që ka shoqëruar protestat e javëve të fundit.
Me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, qytetarët po kërkojnë largimin e qeverisë, ndërsa gjatë grumbullimit kanë nisur të artikulojnë edhe problematikat që, sipas tyre, i kanë nxitur të dalin në protestë.
Protestuesit shprehen se kundërshtojnë mënyrën e qeverisjes, mungesën e transparencës për projektet strategjike, korrupsionin dhe vendimmarrjen që, sipas tyre, prek interesat publike dhe pasuritë kombëtare.
Ashtu si në ditët e mëparshme, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare, ndërsa pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, turma pritet të nisë marshimin drejt kryeministrisë dhe më pas në rrugët kryesore të Tiranës.
