Në një kohë kur investimi 4 miliardë dollarësh në Zvërnec vijon të shkaktojë debat publik dhe protesta që kanë hyrë në ditën e 16-të, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, përcolli një mesazh lidhur me klimën e investimeve dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Gjatë prezantimit të mekanizmit të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte, VanHorn solli në vëmendje politikën e investimeve të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se investimet që nxisin zhvillimin ekonomik duhet të mirëpriten, por pa cenuar sigurinë kombëtare dhe sektorët strategjikë.
“Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike, duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim. Dhe kjo përputhje ka rëndësi. Natyrisht, miratimi i një ligji është fillimi, jo fundi. Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi,” u shpreh VanHorn.
Sipas saj, kuadri i shqyrtimit të investimeve të huaja direkte nuk është thjesht një procedurë administrative, por një deklaratë strategjike që demonstron se Shqipëria mbetet e hapur për biznes, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e interesave kombëtare dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare.
“Kuadri i shqyrtimit të investimeve të huaja direkte të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik. Është një deklaratë strategjike. Tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe plotëson standardet ndërkombëtare,” deklaroi ajo.
VanHorn theksoi gjithashtu se investitorët amerikanë po ndjekin nga afër zhvillimet në klimën e biznesit në Shqipëri dhe se disa kompani amerikane janë tashmë aktive në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe teknologjisë.
“Investitorët po i kushtojnë vëmendje, përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu, në energji, ndërtim dhe teknologji, dhe shumë të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar. Por investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne,” tha ajo.
Diplomatja amerikane nënvizoi se SHBA do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet shqiptare për zbatimin e këtij kuadri, duke shtuar se një sistem me rregulla të qarta dhe të zbatueshme është çelësi për tërheqjen e investimeve afatgjata dhe cilësore.
Deklaratat e VanHorn vijnë në një moment kur debati për projektin e investimit në Sazan dhe Zvërnec mbetet në qendër të vëmendjes publike.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama mbrojti projektin, duke argumentuar se Shqipëria duhet të vazhdojë të tërheqë investime të mëdha dhe se kundërshtimi i tyre dëmton klimën e investimeve dhe imazhin e vendit.
