Vendosni fjalën kyçe....

“Atje do kthehemi si turistë” – Italianët ’emigrojnë’ në Shqipëri, çifti i pensionistëve merr pensionin atje e jeton në Durrës (Video)


Një çift pensionistësh italianë janë bërë qytetarë të Durrësit prej rreth një viti. Alfio e Pinuçia kanë vendosur që të shijojnë vitet e pensionit në Shqipëri. Sipas tyre shkak për këtë është bërë një video në Youtube për Shqipërinë, shkruan Euronws.al.

“Rastësisht pamë në youtube video të Shqipërisë, erdhëm e vizituam dhe na pëlqeu dhe vendosëm të blejmë një shtëpi në Durrës, duke u kthyer në shtëpinë tonë” – shprehen ata.

Sipas çiftit të pensionistëve, në Itali nuk ndiheshin të sigurt, për shkak të shtimit të emigrantëve e kjo ka qenë arsyeja kryesore që vendosën për të ardhur në Shqipëri.

“Ashtu si në çdo vend të botës dhe këtu ka krime, por më pak se në Itali. Në Itali një vajzë nuk ecën dot në rrugë vetëm, sidomos në orët e vona.  Ndërsa këtu shohim të reja që lëvizin dhe nuk i shqetëson askush.” – shtojnë ata.

Çifti Italian e merr pensionin në Itali. Bashkëshorti Alfio merr rrreth 3600 euro ndërsa bashkëshortja Pinuçia rreth 1500 euro, ndërsa theksojnë se në Shqipëri çdo gjë është 60% më lirë se në vendin e tyre.

“Unë marr rreth 3600 euro pension në Itali, pa përfshirë taksat. Ndërsa unë marrë rreth 1500 euro në muaj. Këtu vetëm me pensionin tim mund të bëjmë një jetesë shumë të mirë, pasi më këtë shumë çdo gjë është më e lirë.” – thonë ata për Euronews.al.

Alfio e Pinuçia, nuk janë italianët e vetëm në Durrës. Ata pohojnë se kanë shumë miq nga Italia që kanë ardhur të jetojnë në Shqipëri ndërsa shtojnë se nuk kanë ndërmend të kthehen në vendin e tyre.

“Në Durrës ka më shumë italianë sesa shqiptarë. Jemi vërtetë shumë. Kemi dëgjuar që dhe në Tiranë ka shumë italianë. Është një vend i qetë për të jetuar këtu, prandaj pensionistët si ne e preferojnë. Në Itali do të kthehemi, por si turistë. Ne jemi shqiptarë tani.” – theksojnë ata.