Vendosni fjalën kyçe....

Nënshkruhen tri marrëveshje mes liderëve të Ballkanit Perëndimor


Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar sot në kuadër të Samitit “Procesi i Berlinit” tri marrëveshje, të dakorduara më 21 tetor nga ministeriali përgatitor ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve.

Tri marrëveshjet e nënshkruara janë: mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor, për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore.

Kancelari gjerman Olaf Scholz i cili ishte mikpritës i këtij Samiti, tha se ky është një hap madhir për 6 vendet e Ballkanit.

“Sot po bëni hapa madhorë duke nënshkruar 3 marrëveshje të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’iu mundësojnë qytetarëve tuaj që të lëvizin vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup.”– tha Scholz.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në një reagim në “Twitter” ka uruar liderët ballkanas për arritjen e marrëveshjeve.

“Përgëzoj liderët e Ballkanit Perëndimor për nënshkrimin e tre marrëveshjeve rajonale mbi lëvizshmërinë sot që do të ndihmojnë në kthimin e tregut të përbashkët rajonal në realitet. Ballkani Perëndimor mund të mbështetet gjithashtu në mbështetjen e BE-së në sektorin e energjisë dhe me përforcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve hibride.”– ka shkruar ai.