Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna ndaj nënës së dëshmorit të UÇK-së në Pejë, iu hiqet licenca katër infermiereve


Oda e Infermierëve të Kosovës ka vendosur t’u heqë licencën katër infermiereve të ndaluara lidhur me dhunimin e nënës së Taulant Nuraj në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Bëhet fjalë për infermieren Aurona Pelaj e cila shfaqet në videon e bërë virale duke dhunuar zonjën e moshuar, si dhe për tre infermieret e tjera Altina Rexhepi, Giltiana Neziri si dhe Remzije Kuqi-Gashi.

 “Sot u mbajt takimi urgjent i Prokurorit të OIK, Këshillit Etik dhe Kryetarit të OIK në lidhje me ngjarjet e fundit të cilat kanë ndodhur ditën e djeshme, në lidhje me ushtrimin e dhunës nga 4 infermiere ndaj një gruaje të moshuar në Shtëpinë e Pleqve ‘Orenda’ në Pejë, në të cilin u nxorr vendim për tërheqje të Licencës dhe fshirjen e Profesionistëve Shëndetësor nga regjistri i OIK për anëtarët:

1.Aurona Pelaj me numër të anëtarësisë OIK-1033/22, profili shëndetësor ‘Bachelor i Shkencave në Infermieri’ numër të licencës KO-37133/A-06-20;

2.Altina Rexhepi me numër të anëtarësisë OIK-279/21, profili shëndetësor ‘Bachelor i Mamisë’ me numër të licencës KO-32611/A-06-1;

3.Giltiana Neziri me numër të anëtarësisë OIK-1376/19, profili shëndetësorë ‘Infermiere e Përgjithshme’;

4.Remzije Kuqi – Gashi me numër të anëtarësisë OIK-7262/18, profili shëndetësorë ‘Teknik i Mjekësisë’ me numër të licencës KO-27194/A-05-20.”– thuhet në njoftim.

Videoja virale e ditës së djeshme ku e moshuara shihej duke u dhunuar dhe tallur nga një punonjëse në një azil në Pejë ka tronditur opinionin publik jo vetëm në Kosovë por kudo ka shqiptarë.

Në Tiranë sot pasdite pritet të mbahet një protestë kundër dhunës dhe për të kërkuar drejtësi për zonjën. Marshimi do të nisë nga Sheshi Skënderbej deri te Sheshi Nënën Tereza në orën 18:00.