Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënohet aktorja që publikoi videon e dhunës ndaj së moshuarës në azil


Aktorja e aktivistja Kaltrina Zeneli, e cila ishte e para që publikoi dje videon e dhunës ndaj së moshuarës në një azil në Pejë, ka pohuar se është kërcënuar. Ajo ka thënë se ka marrë qindra kërcënime mes të cilëve njëri ishte me jetë.

“Veç mos të pafsha në rrugë se kam me t’mbyt.” – tha Zeneli në një deklaratë për KTV në Kosovë.

Ajo tha më tej se nuk e ka bërë ajo videon po thjesht e ka shpërndarë duke theksuar se mesazhe kërcënuese kanë marrë edhe profilet e tjera në rrjetet sociale që kanë të njëjtin emër.

“Unë punoj në Artpolis, një organizatë feministe dhe reagojmë për raste të ndryshme kur ka dhunë familjare. Gjatë kohës që kam qenë me kolegët pak para provave, më ka shkrujt dikush dhe ka kërkuar me dit qysh me raportu një dhunë. I thashë thirre policinë, ata të drejtojnë ku duhesh me shku. Më tha, a mundesh me ma gjet një numër që merret këto raste dhe po më tregon që është ushtru dhunë ndaj një të moshuare. Unë prapë i thashë thirre policinë. E vazhdova ditën. Pas dy-tre orësh e pyeta a ka marrë bërë denoncimin. Më tha që ishte duke pritur për të shkuar në polici. Por aty ma ka dërgu videon. Pasi e kam pa, nuk mujta me prit më dhe e kam postuar menjëherë. Nuk kam mundur ta shoh videon deri në fund. Jam shtangur, nuk kam dit me reagu. E kam qit nënën time në vend të saj. Nuk e di, s’po gjej fjalë të përshkruaj.” – tha Zeneli për KTV.