Vendosni fjalën kyçe....

“Refuzojmë që një kriminel me uniformë të na raportojë”- Opozita braktis mbledhjen në Komisionin e Sigurisë ku po fliste Ardi Veliu


Debate të forta në mbledhjen e sotme në Komisionin e Sigurisë, ku ishte thirrur të raportonte Ardi Veliu, Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Pas debateve opozita ka braktisur mbledhjen në këtë Komision, pasi nuk iu dha fjala për të bërë pyetje për ngjarjet kriminale.

Në fakt, Veliu ishte thirrur për të raportuar për buxhetin, por deputeti demokrat Ervin Salianji këmbënguli se nuk mund të diskutohet për buxhetin pa dhënë shpjegime për ngjarjet kriminale.

“Së pari është e disata herë që ndërrohen oraret e mbledhjes së komisionit dhe drejtuesit e institucioneve që vijnë njëherë në vit sjellin vërdallë një komision dhe gjithë deputetët, është fyerje për komisionin dhe secilin prej nesh.

Së dyti, kjo shkresa që na keni sjellë përpara që thotë paga shpenzime personeli 170 mijë, kaq janë pagat 1 mln e 700 mijë lekë të vjetra? Po ça është kjo shkresë, për këtë do diskutojmë ne? Mirë që për të shkruar dhe lexuar t’i japim një abetare drejtuesit që keni sjellë këtu se nuk di, por edhe këto na sillni.

Komentet i mbajmë ne, ju duhet të keni fyerje së pari që kur ju vjen një drejtues me këto letra pranoni dhe të rrini me kokë ulur. Para se të fillojë mbledhja është detyrë e këtij komisioni, që për manipulimet e ngjarjeve kriminale që është drejtuesi që keni këtu të nisë nga kjo njëherë.”– tha Salianji.

Ai shtoi se “Kanë ndodhur manipulime të ngjarjeve kriminale në këtë vend. Nuk mund ta fshihni dot. Nëse nuk përgjigjet dot për këto nuk mund të vihet me paçavure” dhe më pas pas debateve me drejtuesin e mbledhjes Nasip Naçon kërkoi shtyrje të mbledhjes. Ky i fundit bëri thirrje për ruajtje të qetësisë dhe tha se s’mund të imponojnë ata rendin e ditës.

Deputeti tjetër i PD-së Flamur Noka gjithashtu u shpreh “Refuzojmë të pranojmë një kriminel me uniforma të na raportojë.” Pas debateve deputetët demokratë braktisën mbledhjen. Mbledhja vijoi pa ata dhe me Ardi Veliun që mori fjalën.