Vendosni fjalën kyçe....

Fotovoltaikët, 1.7 MWp mbi tarracat e institucioneve, FSHZH shpall fituesin me 1.36 milionë euro


Kontrata “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet aplikimit të modeleve inovative për përmirësimin e shërbimeve utilitare publike” e financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të nisë së shpejti zbatimin e saj duke qenë se tashmë është njoftuar edhe fituesi.

Fondi bëri të ditur se oferta paraprake për procedurën e prokurimit të hapur vetëm pak javë më parë është 1.36 milionë euro nga bashkimi i dy operatorëve teksa në garë kanë marrë pjesë edhe katër operatorë të tjerë të cilët janë skualifikuar. Fondi limit për projektin ishte 1.7 milionë euro.

Por çfarë synon në të vërtetë të sjellë kjo kontratë. Referuar dokumentacionit të bërë publik në fazën e parë epiqendra e ndërhyrjes do të jenë ato që kanë të bëjnë me energjinë e rinovueshme në njërën anë por edhe rritjen e eficiencës në anën tjetër.

Projekti synon instalimin e impianteve fotovoltaikë mbi tarracat e institucioneve publike si një formë prodhimi energjie ndërkohë që parashikohet përdorimi i llambave që konsumojnë më pak energji sesa ato standarde. Fuqia e instaluar synohet të arrijë të paktën 1.7 MWp dhe të instalohet në një sipërfaqe rreth 10,000 m². Kapaciteti i instaluar do të mundësohet nga instalimi i afërsisht 3,800 moduleve fotovoltaike.

“Zbatimi i këtij projekti synon  të promovojë dhe nxisë uljen e varësisë nga furnizimi me energji elektrike nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe bërjen sa më shume autonom dhe vetëprodhues nëpërmjet prodhimit të energjisë elektrike përmes teknologjisë fotovoltaike. Impiantet e energjisë diellore do te ndertohen ne siperfaqe te sheshta, konkretisht ne soletat (tarraca) e objekteve ose ne ambjente te hapuar” thuhet në raportin teknik.

Ndjeshmëria sa i takon energjisë është bërë e lartë sidomos nga mesi i vitit të shkuar e deri më tani duke qenë se jemi në kushtet e një krize globale.

Aktualisht Shqipëria është në gjendjen e emergjencës dhe përveç masave të tjera të marra siç ishte prezantimi i fashës 800 KWh për familjarët të cilët do të paguajnë me çmim tregu çdo kilovat/orë mbi këtë fashë, është kërkuar edhe ndërgjegjësim i institucioneve. Këtyre të fundit u është lënë si detyrë që të rrisin eficiencën dhe të ulin konsumin me të paktën 15 për qind.

Çdo institucion ka të ngarkuar një person i cili do të mbikëqyrë ecurinë e situatës së energjisë ndërkohë që për ata që nuk arrijnë objektivin është parashikuar të aplikohen edhe gjoba./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor