Vendosni fjalën kyçe....

“Persona të maskuar që dhunojnë protestuesit, hije e rëndë mbi shtetin e së drejtës” – Deputetja e PS-së


Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, ka reaguar ndaj incidentit të ndodhur gjatë protestës në Zvërnec të Vlorës, ku disa protestues u përplasën me roje private dhe një prej tyre u tërhoq zvarrë.

Përmes një deklarate publike, Çakërri dënoi përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve, duke e cilësuar atë si një cenim të parimeve të shtetit të së drejtës.

Sipas saj, veprimet e personave të maskuar që ushtruan dhunë ndaj protestuesve përbëjnë një shqetësim serioz dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.

Deputetja theksoi se zbatimi i ligjit dhe garantimi i rendit publik janë kompetenca ekskluzive të institucioneve shtetërore dhe nuk mund të ushtrohen nga individë apo struktura private.

“Autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi”, theksohet në reagimin e saj.

Ngjarja ndodhi gjatë një proteste të zhvilluar në Zvërnec, ku dhjetëra qytetarë kundërshtuan ndërtimin e një resorti turistik në zonë nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. Protestuesit shprehën shqetësime lidhur me ndikimin e projektit në mjedis dhe në zonën e mbrojtur ku po realizohet investimi.

Reagimi i Çakërrit

“Ajo që pamë sot nuk pasqyron standardet dhe vlerat që duhet të karakterizojnë një shoqëri demokratike.

Pamjet e personave të maskuar që përplasen dhe ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve janë një hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës. Autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi.

Shqipëria ka nevojë për investime, zhvillim dhe projekte që krijojnë mirëqenie. Çdo investim në përputhje me ligjin duhet të realizohet. Por po aq e rëndësishme është që ligji të mbetet busulla që orienton çdo proces dhe çdo vendimmarrje.

Reagimi i Policisë së Shtetit dhe procedimi i rojeve private të përfshira në ngjarje janë një sinjal se askush nuk mund të veprojë përtej kufijve që vendos ligji.

Në një demokraci të vërtetë, forca nuk buron nga maska apo intimidimi, por nga besimi i qytetarëve te ligji, i cili duhet të jetë i barabartë për të gjithë.”