Vendosni fjalën kyçe....

11 viktima nga shpërthimi i rezervuarit kimik në SHBA


Numri i viktimave nga shpërthimi i një rezervuari kimik në shtetin amerikan të Uashingtonit është rritur në 11, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupat e të nëntë personave që rezultonin të zhdukur, njoftuan autoritetet të shtunën.

Dy viktima ishin konfirmuar menjëherë pas shembjes së rezervuarit që përmbante “likuor të bardhë”, një solucion kimik i përbërë nga hidroksid natriumi dhe sulfur natriumi, i përdorur në prodhimin e pulpës së letrës – në uzinën e kompanisë Nippon Dynawave Packaging të martën.

Kërkimet për personat e zhdukur vazhduan gjatë gjithë javës, ndërsa ekipet e rikuperimit punuan mes mbetjeve brenda objekteve industriale dhe përdorën dronë për të monitoruar perimetrin e zonës, tha zëvendësshefi i Cowlitz 2 Fire & Rescue, Kurt Stitch.

Rezervuari i dëmtuar përmbante rreth 900 mijë gallonë (3.4 milionë litra) likuor të bardhë. Testimet konfirmuan se ndotja kishte depërtuar në lumin Columbia aty pranë, kanë bërë të ditur autoritetet, megjithëse deri tani nuk janë konstatuar “ndikime negative në shëndetin publik” lidhur me cilësinë e ajrit apo ujin e pijshëm të qytetit Longview, shkruan Reuters.

Kompania japoneze Nippon Paper Industries, prodhuesi i dytë më i madh i letrës në Japoni për nga shitjet, e bleu fabrikën e Longview nga kompania pyjore me seli në Seattle, Weyerhaeuser, për 225 milionë dollarë dhe në vitin 2016 themeloi filialin e saj në pronësi të plotë, Nippon Dynawave Packaging.