Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari serb: Vuçiçi po planifikon të japë dorëheqjen, që dikush tjetër ta njohë Pavarësinë e Kosovës


Kryeredaktori dhe pronari i “Informer” Dragan J. Vuçiçeviç tha sot se sipas informacioneve që ka nga bashkëpunëtorët e presidentit të Serbisë dhe Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç po planifikon të japë dorëheqjen. Kjo për të mos qenë ai por “dikush tjetër” ai që do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

Pronari i këtij tabloidi ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në TV PINK, që njihet si i afërt me qeverinë.

Siç tha ai, Serbia ka qenë i vetmi vend në Evropë që prej 231 ditësh nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke thënë se kjo është një fitore e Serbisë.

“Nëse më lejoni t’u them shikuesve, ky është programi më i ndjekur në Serbi. Duhet të jenë të qetë në këto kohë lufte sepse derisa presidenti Vuçiç është president, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk do ta njohë shtetin e rremë të Kosovës.”- u tha ai qytetarëve si një lloj slogani për informacionin që ka, citon danas.rs.

Në fund të intervistës, gazetari tha se njohuritë që ka për shkak të “situatës së komplikuar” nuk mund t’i konfirmojë drejtpërdrejt me Vuçiçin, sepse nuk mund të kontaktojë me të, por se ato vijnë nga bashkëpunëtorët e presidentit në qeveri.

Sipas informacioneve të Vuçiçeviçit, presidenti Aleksandar Vuçiç praktikisht do t’ia linte njohjen e Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë kujtdo që do ta pasonte atë, pasi të jepte dorëheqjen.

“Nuk e di sa e zgjuar është të thuash gjithçka… Kam dëgjuar disa gjëra nga disa bashkëpunëtorë të tij nga qeveria që më shqetësojnë. Disa prej tyre thonë se presidenti mund të marrë një vendim që, mendoj, është thelbësisht i keq për shtetin dhe për interesat shtetërore dhe kombëtare. Dhe ai vendim nuk do të ishte njohja e shtetit të rremë të Kosovës, aspak, ose, Zoti na ruajt, vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, kjo nuk do të ndodhë, por t’ua lëmë ato vendime të tjerëve në një mënyrë që të marrin vendime politike që nuk i pret askush aktualisht, madje kemi dëgjuar nga SNS se presidenti po mendon të japë dorëheqjen.”– tha redaktori i “Informer”.

Ai tha se dorëheqja do të vinte në një situatë ku shteti nuk mund të përballojë presionin perëndimor.

“Do ta shfrytëzoj këtë rast, ndoshta në mënyrë jo modeste, për ta pyetur presidentin, e kam fjalën në emër të një numri të madh të qytetarëve serbë, nëse është e mundur që ai të mos e bëjë këtë. Jam i sigurt se askush, për fat të keq apo për fat të mirë, askush sot në Serbi dhe në këtë pjesë të Evropës nuk mund të udhëheqë një politikë më të mirë se ai. Dhe se ne duhet të qëndrojmë në këtë kurs politik siç dimë. Do të jetë tmerrësisht e vështirë dhe e tmerrshme, shumë në Serbi nuk e kuptojnë vështirësinë e situatës në të cilën ndodhemi.”- tha pronari i tabloidit. Ai vetë, tha se ishte disi i befasuar, i hutuar dhe i tronditur nga ato informacione, sepse siç thotë ai, “nuk e di se çfarë lloj presioni po i bëhet lidershipit shtetëror serb dhe vetë presidentit Vuçiç”.