
Partia e Lirisë ka zhvilluar një tryezë mbi sektorin e shëndetësisë, ku ka prezantuar 16 propozime që synojnë përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend.
Në qendër të paketës së propozimeve është kërkesa për rritjen e financimit publik në shëndetësi, përmirësimin e kushteve të punës për mjekët dhe infermierët, si dhe zgjerimin e shërbimeve për qytetarët.
Ndër masat kryesore, Partia e Lirisë kërkon dyfishimin e pagave për personelin mjekësor, me qëllim frenimin e largimit të tyre nga vendi, si dhe rritjen e shpenzimeve për shëndetësinë në nivelin 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në propozime përfshihet gjithashtu zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme, përmirësimi i trajtimit për pacientët onkologjikë dhe rritja e kapaciteteve spitalore, si dhe forcimi i kujdesit parësor dhe sistemit të referimit.
Partia e Lirisë kërkon edhe rishikimin dhe anulimin e koncesioneve në shëndetësi, duke i cilësuar ato si kosto të lartë për buxhetin publik.
Në deklarimin e tij, Tedi Blushi kritikoi ashpër gjendjen e sistemit shëndetësor, duke e cilësuar atë të degraduar dhe të kapur nga korrupsioni, ndërsa akuzoi qeverinë për dështim në garantimin e shërbimeve bazë për qytetarët.
Sipas Partisë së Lirisë, gjendja aktuale e shëndetësisë ka sjellë rritje të kostove nga xhepi për qytetarët dhe përkeqësim të aksesit në trajtime mjekësore, veçanërisht për sëmundjet e rënda.
Në fund, kjo forcë politike thekson se paketa e propozuar synon të garantojë një shëndetësi më të aksesueshme, më të financuar dhe më afër qytetarëve, duke e konsideruar reformimin e sektorit si prioritet kombëtar.