Në Pekin është zhvilluar një gjysmëmaratonë e veçantë, ku për herë të parë në Kinë robotët humanoidë kanë vrapuar përkrah njerëzve në një garë prej 21.1 kilometrash, përcjell Euronews.
Eventi u organizua më 19 prill 2025 në zonën teknologjike E-Town dhe mblodhi spektatorë të shumtë, përfshirë familje që ndoqën nga afër performancën e makinave në një mjedis real gare.
Rreth 20 robotë morën pjesë në garë, duke u përballur me terren të ndryshueshëm, turma dhe kushte jo të kontrolluara laboratorike. Fitues u shpall modeli “Tiangong Ultra”, i cili e përfundoi garën për 2 orë, 40 minuta dhe 42 sekonda.
Sipas organizatorëve, gara shënon një hap të rëndësishëm nga testimet në laborator drejt përdorimit në kushte reale, ku robotët duhet të demonstrojnë ekuilibër, qëndrueshmëri dhe përshtatje me mjedisin.
Inxhinierët përdorën të dhëna nga vrapues profesionistë për të përmirësuar lëvizjet, ritmin dhe efikasitetin energjetik të robotëve. Këto teste synojnë të vlerësojnë aftësinë e tyre për qëndrueshmëri në distanca të gjata.
Kina e konsideron robotikën humanoide si një sektor strategjik, me potencial të madh në industri dhe shërbime, ndërsa priten edhe gara të tjera të ngjashme në kuadër të zhvillimeve globale të inteligjencës artificiale.
