Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarëve të Kievit u kërkohet të kursejnë energjinë elektrike pas sulmeve ruse


Operatori shtetëror i energjisë i Ukrainës u ka kërkuar banorëve të Kievit të reduktojnë përdorimin e energjisë elektrike në mbrëmje, pasi një sulm raketor rus çaktivizoi një instalim të energjisë elektrike pranë kryeqytetit.

Zyrtarët thanë se energjia ishte rivendosur në të gjithë Ukrainën më herët pasi raketat ruse goditën infrastrukturën energjetike.

Por Ukrenergo bën përsëri thirrje për reduktim midis orës 17:00 dhe 23:00 të mbrëmjes, duke paralajmëruar për ndërprerje të mundshme të energjisë.

Kërkesa nuk u kufizua vetëm në Kiev, shkruan BBC.

Nënkryetari i administratës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, tha se popullatat e Zhytomyr, Cherkasy dhe Chernihiv gjithashtu duhet të kursejnë energji elektrike.

“Nëse kjo këshillë shpërfillet, do të kemi vështirësi dhe do të jetë e nevojshme të nxirren qirinjtë.”- paralajmëroi ai në Telegram.

Ukrenergo u ka kërkuar banorëve që të kursejnë energjinë elektrike në mbrëmje duke mos përdorur pajisje që konsumojnë energji, duke fikur ndriçimin e panevojshëm dhe duke bërë larjen e tyre gjatë natës.

Paralajmërimi për energjinë vjen pasi më shumë luftime të ashpra raportohen në veri të Khersonit të kontrolluar nga Rusia.