Pas takimeve të njëpasnjëshme të Komisionerit për Zgjerim të BE-së Oliver Varhelyi me kryeministrin Edi Rama dhe më pas me kreun e opozitës Lulzim Basha, në disa medie qarkulluan informacione se ka patur edhe një takim Rama-Basha.
Mirëpo selia blu ka reaguar përmes një njoftimi të shkurtër për mediet ku e hedh kategorikisht poshtë këtë informacion.
“Nuk ka patur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre.”- thuhet në njoftimin e PD-së.
Më herët kryeministri Rama priti në Rinas Komisionerin Varhelyi dhe pas takimit të tyre dolën dhe në një konferencë të përbashkët për mediet. Varhelyi erdhi në Shqipëri në kuadër të vizitave që po kryen në vendet e Ballkanit Perëndimor për shpërndarjen e vaksinave të Pfizer nga BE-ja, në ndihmë të vendeve të Ballkanit.
Pas konferencës me Ramën, Varhelyi u takua me Bashën në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas.
Spekulimet për një takim Rama-Basha në prezencë të komisionerit Varhelyi, nisën pasi sipas disa medieve dy liderët e PS-së dhe PD-së janë larguar nga aeroporti në një diferencë kohore prej 2 minutash mes tyre.