Vendosni fjalën kyçe....

“Operacioni Porositësi” – Drejtori i ri i Policisë së Durrësit e nis me rezultate punën që javën e parë


Skënder Hita e ka nisur me produkte dhe rezultate që javën e parë punën si drejtori i ri i Policisë së Durrësit.

Madje ende nuk është bërë java, por është vetëm në ditën e katërt të detyrës kur sot u njoftua përmbyllja e operacionit “Porositësi”, që goditi një bandë kriminale në qytetin bregdetar, e cila merrej me vrasje me pagesë.

14 persona në pranga, një komunikim arresti në burg, 5 të shpallur në kërkim dhe procedim për shumë të kërkuarin Kasandro Noga, i arrestuar në Belgjikë. Këto ishin rezultatet e super operacionit të policisë së Durrësit.

E gjitha nisi me pengmarrjen, lirimin dhe “zbërthimin” e 2 vëllezërve, Indrit dhe Gentian Beqiraj. Dëshmia e të cilëve çoi në zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale që nisnin nga një porositës, Kasandro Noka.

Vëllezërit Beqiraj kanë treguar se morën 3 porosi për vrasje nga Kasandro Noga për 50-150 mijë euro (Lexo këtu).

Drejtori i ri i Policisë së Durrësit, Skënder Hita deri para pak ditësh mbante postin e Drejtorit të Policisë së Dibrës, ndërsa më herët ka drejtuar Policinë e Shkodrës, por ka shërbyer edhe si zv/drejtor për hetimin e krimeve në Tiranë, Elbasan, Gjirokastër e Lezhë.