Vendosni fjalën kyçe....

Policia zbulon si u rrëmbye Ilir Beqiraj dhe si u lirua ai


Policia e Durrësit dha detaje sot rreth operacionit të koduar ‘Porositësi’, ku edhe është goditur një grup kriminal i cili operonte jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë.

Sipas policisë, dy vëllezërit Gentian Beqiraj dhe Indrit Beqiraj që u morën peng pak ditë më parë, porositeshin për të kryer vrasje duke marrë nga 50 deri në 150 mijë euro.

Policia ka dhënë detaje dhe në lidhje me rrëmbimin e tyre dhe si u liruan ata.

Pengmarrësit kanë goditur fillimisht motomjetin me të cilin po udhëtonin dy vëllezërit dhe më pas kanë marrë me vete njërin prej tyre për disa minuta.

Ata janë rrethuar nga policia dhe kanë në rrugë Indrit Beqirajn. Më pas kanë braktisur edhe automjetet për t’u larguar në këmbë.

 “Në kuadër të veprimeve të thelluara të kryera në vijimësi, si dhe atyre të kryera gjatë dy ditëve të fundit, nisur edhe nga konflikti mes 2 vëllezërve me disa persona të tjerë, u bë e mundur zbardhja e disa ngjarjeve kriminale, si dhe qëllimi i konflikt të ndodhur më datë 02.10.2022, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, ku disa persona me automjete kanë goditur motomjetin e dy vellezërve G. B. dhe I. B. dhe më pas kanë marrë me vete, njërin prej tyre, për disa minuta.

Në sajë të veprimeve të shpejta, reagimit dhe presionit policor, personat që kishin marrë në automjet shtetasin I. B., në pamundësi për të dalë me automjet nga perimetri i rrethimit të Policisë, e kanë lënë në rrugë shtetasin I. B., kanë braktisur automjetet dhe kanë mundur të largohen në këmbë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore u bë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe identifikimi i autorëve të saj. Është vënë në pranga njëri prej autorëve dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu u sekuestruan mjetet e përdorura në këtë ngjarje. Në automjetin me të cilin është marrë peng shtetasi I. B. janë gjetur dhe fiksuar prova shkencore.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Porositë për vrasje

Vëllezërit Beqiraj pas arrestimit kanë rrëfyer vetë para trupit hetues në Durrës se për llogari të Kasandër Nogës kishin marrë përsipër të kryenin vrasjen e Geron Hasanbelliut. 

Ata planifikuan edhe ekzekutimin e një personi në Tiranë dhe të nipërve të tij, po ashtu vrasjen e Aleksandër Lahos, të njohur edhe si “Rrumi”.

“Në vijim të hetimeve të thelluara, të nisura më parë nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka rezultuar se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga viti 2021 dhe në vazhdim. Shtetasit G. B. dhe I. B., në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit. Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh.”– tha Policia.

Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit. Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të bëhej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, dy vëlllezërit nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

Kjo sepse kishin ngatërruar objektiv: “Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.”