Vendosni fjalën kyçe....

Nënshkruhet marrëveshja mes Albgaz dhe gjigantit spanjoll të gazit ENAGAS


Shqipëria ka nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes Albagaz dhe kompanisë spanjolle ENAGAS.

“Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Albgaz dhe kompanisë spanjolle ENAGAS, duke i hapur rrugë të dyja palëve për të punuar dhe ndërvepruar së bashku sa i takon projekteve të rëndësishme që Qeveria Shqiptare ka në sektorin e gazit.”- shkruan kryeministri Edi Rama ndërsa publikon një video nga ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se ky bashkëpunim do të ndikojë në hapat që Shqipëria do të hedhë në të ardhmen në këtë fushë.

Ajo u shpreh se duhet të rriten kapacitetet prodhuese përmes burimeve alternative të energjisë, gjë të cilën e konsideroi prioritet. Duke folur për krizën energjetike, Balluku tha se asnjë shtet nuk është i përgatitur për ta përballuar atë.

“Nga 2020 na është dashur shpesh të mblidhemi për të firmosur marrëveshje që ndoshta për publikun shpesh herë duken sikur nuk janë aksione të vërteta për ecurinë e projekteve. Kemi nisur bashkëpunimin në pranverë të këtij viti dhe firmosëm një marrëveshje mirëkuptimi në prezencë të kryeministrit Rama dhe zv.kryeministres spanjolle për t’i hapur rrugë energjisë gjatë verës.

Ne kemi punuar për të pasur rezultate dhe sot, në javën e parë e parë të tetorit po nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi që vendos në një kuadër të pastër ligjor, hapat që do të hedhim në të ardhmen. Energjia është kyçi i problemit dhe çelësi i suksesit në ditët e sotme.

Nuk ka asnjë shtet që është imun nga kriza ekonomike që ka krijuar ditët e sotme energjia. Sot kur parashikimet e janarit 2022 për ecurinë e 3 mujorëve të vitit janë të ndryshme nga realiteti, e kemi nisur me parashikime për rreth 350 euro/MË dhe kemi përfunduar me çmime më të larta se 600 euro/MË. Asnjë shtet nuk është gati për këtë krizë. Në këtë kohë duhen rritje të kapaciteteve prodhuese përmes burime alternative të energjisë. Energjia e rinovueshme është prioritet për Shqipërinë.”- tha ministrja Balluku.

Ajo shtoi se kjo do të jetë një marrëveshje që do të thellojë marrëdhëniet diplomatike që Shqipëria ka pasur gjatë viteve me Spanjën.