Vendosni fjalën kyçe....

E djathta triumfon në zgjedhjet në Itali, Meloni e para kryeministre grua. Sfidat që e presin


Meloni do udhëheqë Italinë pas triumfit në votime.

Giorgia Meloni duket se do bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë në krye të qeverisë së saj më të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi udhëhoqi një aleancë konservatore për të triumfuar në zgjedhjet e së dielës.

Rezultatet pothuajse përfundimtare treguan se blloku i djathtë duhet të ketë një shumicë solide në të dyja dhomat e parlamentit, duke i dhënë potencialisht Italisë një mundësi të rrallë për stabilitet politik pas vitesh trazirash dhe koalicionesh të brishta.

‘Giorgia Meloni ka fituar’, shkruan e përditshmja me tirazhin më të madh të Italisë, ‘Corriere della Sera’, në faqen e saj të parë, ndërsa e djathta ‘Il Tempo’ shkroi: ’Ishte radha e Giorgias’.

Meloni dhe aleatët e saj përballen me një listë të frikshme sfidash, duke përfshirë rritjen e çmimeve të energjisë, luftën në Ukrainë dhe ngadalësimin e ri në ekonominë e tretë më të madhe të zonës euro.

“Ne duhet të kujtojmë se nuk jemi në pikën e fundit, ne jemi në pikën e fillimit. Nga nesër duhet të tregojmë vlerën tonë.” – u tha 45-vjeçarja Meloni duke brohoritur përkrahësve të saj nacionalistë të partisë ‘Vëllezërit e Italisë’ mëngjesin e sotëm.

Meloni e portretizon partinë që drejton si një grup kryesor të ngjashëm me Konservatorët e Britanisë. Ajo është zotuar të mbështesë politikën perëndimore për Ukrainën dhe të mos rrezikojë me financat e brishta të Italisë.

Kryeqytetet evropiane dhe tregjet financiare do shqyrtojnë me kujdes lëvizjet e saj të hershme, duke pasur parasysh të kaluarën e saj euroskeptike dhe pozicionin ambivalent të aleatëve të saj ndaj Rusisë.

Në fjalimin e saj të fitores, Meloni pati një ton pajtues.

“Nëse na thirrën për të qeverisur këtë komb, do ta bëjmë për të gjithë italianët, me synimin për të bashkuar njerëzit dhe për t’u përqendruar në atë që na bashkon dhe jo në atë që na ndan.” – tha ajo.

Me rezultate të numëruara në më shumë se 90% të qendrave të votimit, ‘Vëllezërit e Italisë’ kryesuan me më shumë se 26%, nga vetëm 4% në zgjedhjet e fundit kombëtare në 2018. Në të kundërt, aleati i saj kryesor pësoi një natë katastrofike, me ‘Lega’-n e Matteo Salvinit që mori rreth 9% të votave, nga më shumë se 17% katër vjet më parë, dhe u kalua nga Meloni në të gjitha zonat e saj tradicionale në veri.

Partia tjetër e madhe konservatore, ‘Forza Italia’ e Silvio Berlusconit, mori rreth 8%.

Megjithëse aleanca e Melonit parashikohet të mbajë shumicën komode në dhomat e sipërme dhe të poshtme të parlamentit, anëtarët e saj kanë qëndrime të ndryshme për disa çështje që mund të jenë të vështira për t’u pajtuar.

Salvini, për shembull, vë në pikëpyetje sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë dhe si ai, ashtu edhe Berlusconi shpesh kanë shprehur admirimin e tyre për liderin e saj, Putin.

Ata gjithashtu kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me trajtimin e faturave të energjisë dhe kanë dhënë një sërë premtimesh, duke përfshirë uljen e taksave dhe reformën e pensioneve.

Sarah Carlson, nënkryetare e lartë e agjencisë së vlerësimit të kredisë Moody’s, tha se qeveria e ardhshme italiane do duhet të menaxhojë një barrë borxhi ‘që është e prekshme ndaj rritjes negative, kostos së financimit dhe zhvillimeve të inflacionit’.

Meloni do e marrë detyrën nga kryeministri Mario Draghi, ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, i cili e shtyu Romën në qendër të politikëbërjes së BE-së gjatë qëndrimit të tij 18-mujor në detyrë, duke krijuar lidhje të ngushta me Parisin dhe Berlinin.

Në Evropë, të parët që përshëndetën fitoren e saj ishin partitë e opozitës së djathtë në Spanjë dhe Francë, dhe qeveritë konservatore kombëtare të Polonisë dhe Hungarisë, të cilat të dyja kanë tensionuar marrëdhëniet me Brukselin.

Partia Demokratike (PD) e qendrës së majtë mori rreth 19%, ndërsa lëvizja e majtë ‘5 Yjet’ mori rreth 15%, një rezultat mbi pritshmëritë. Grupi i qendrës ‘Veprim’ ishte në pak më shumë se 7%.