Vendosni fjalën kyçe....

Baste sportive në lokal, arrestohen pronarët e tre lokaleve në Tiranë


Policia e Tiranës ka vënë në pranga 3 pronarë lokalesh gjatë një operacioni për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit.

Sipas uniformave blu, gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në lokalet e tyre, tre shtetasit me inicialet D. K., K. V., dhe M. Gj. “u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet basteve sportive”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht dy të tjerë: E. K., 28 vjeç, dhe Xh. K., 22 vjeç.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijon puna për goditjen e paligjshmërisë, në fushën e lojërave të fatit.

Goditen 5 raste të ushtrimit të kësaj veprimtarie të palejuar, vihen në pranga 3 shtetas, procedohen penalisht dy të tjerë.

Sekuestrohen 4 aparate celulare dhe makineta që shërbejnë për lojëra fati.

Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme, të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara dhe kanë goditur 5 raste të kësaj veprimtarie.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– D. K., 43 vjeç, pronar i një lokali në rrugën “Tre Dëshmorët”;

– K. V., 20 vjeç, pronar i një lokali në rrugën “Besim Alla”;

-M. Gj., 32 vjeç, pronar i një lokali në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. K., 28 vjeç, dhe Xh. K., 22 vjeç.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, shtetasit D. K., K. V., M. Gj., dhe E. K., u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet basteve sportive, ndërsa gjatë kontrollit të një ambienti në rrugën “Belul Hatibi”, në pronësi të shtetasit Xh. K., u konstatuan makineta që shërbejnë për lojëra fati.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.