Vendosni fjalën kyçe....

“Duam ndihmë 100 Euro në muaj”- Studentët firmosin peticionin, mblidhen mbi 6 mijë firma


Një grup studentësh kanë nisur një peticion, përmes të cilit kërkojnë ndihmë financiare nga qeveria, për të përballuar krizën ekonomike.

Kërkesa në fjalë i drejtohet ministrisë së Arsimit dhe i dërgohet për dijeni dhe kryeministrit Edi Rama.

Studentët kërkojnë 100 euro çdo muaj nga qeveria, një ndihmë që qeveria e Kosovës ua ka ofruar studentëve si pjesë e masave antikrizë, pa u bërë një peticion për këtë.

Deri më tani janë mbledhur mbi 6 mijë firma.

Studentët që kanë iniciuar këtë peticion, paralajmërojnë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre do të bojkotojnë mësimin kur të nisë viti i ri akademik.

“Kemi bërë një tentativë për t’i tërhequr vëmendje zotit kryeministër. Shpesh herë, siç e thatë dhe ju, kryeministri nuk i merr parasysh kërkesat e qytetarëve, as kërkesat e studentëve. Organizon borde fiktive, që mund të vihen në dyshim nëse janë të sakta. Ndërsa zërin e studentëve e kemi parë gjithmonë se sa sproblematik ka qenë. Këtë vit bëhet dhe më e vështirë, pasi janë rritur çmimet e shportës, apartamentet.

Tirana, kryeqyteti evropian i rinisë po i dënon të rinjtë, po i largon duke mos i mundësuar asnjë shkollim dhe banim dinjitoz në Tiranë. Kjo nismë e jona është për t’i tërhequr vëmendje kryeministrit, se ku ndodhemi ne. Pastaj kjo është nismë ligjore, nuk është nismë protestuese apo radikale. Mund të kemi dhe organizime të tjera. Do biem dakord me njëri-tjetrin se si mund të organizohemi, por në rrugë ligjore do dorëzojmë peticionin e mbi 6 mijë studentëve. Ka dy javë që është nisur peticioni. Është e pamundur që të nisë viti akademik këtë vit. Xhepat e studentëve janë bosh. Duke ditur falangat e Kryeministrisë dhe zjarrshuesit e protestave që i ka gjithmonë të tij në dispozicion, do ketë tentativa për protesta. Fillimisht është pak largpamëse që mund të ketë një dhjetor të tretë, por mos u ngatërroni kurrë me studentët në dhjetor.”- tha një student.