Vendosni fjalën kyçe....

Armët amerikane për Ukrainën po zhduken në ‘vrimën e zezë’ – CNN


Qeveria amerikane po përpiqet të gjurmojë sasi të mëdha armësh të transferuara te forcat e armatosura të Ukrainës muajt e fundit.

Megjithatë sipas CNN, agjencitë amerikane të inteligjencës  kanë ‘pothuajse zero’ aftësi për të ndjekur dërgesat tek përdoruesit e tyre përfundimtarë.

Megjithëse armët e dërguara në Ukrainë përbëjnë ‘furnizimin më të madh të kohëve të fundit për një vend partner në konflikt’, Shtëpia e Bardhë është gjithnjë e më e shqetësuar se ndihma ‘mund të përfundojë në duart e ushtrive dhe milicive të tjera që SHBA-ja nuk kishte ndërmend t’i armatoste, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes për CNN të martën.

“Ne kemi aftësi për një kohë të shkurtër, por kur hyn në mjegullën e luftës, ne kemi pothuajse zero.” – tha një burim tjetër i informuar për inteligjencën amerikane, duke shtuar se armët bien ‘në një vrimë të madhe të zezë dhe nuk ka pothuajse asnjë kuptim’.

Pavarësisht asaj pike të errët, për të cilën media sugjeroi se është për shkak të mungesës së ushtarëve amerikanë në terren në Ukrainë, Shtëpia e Bardhë ka lënë të hapur mundësinë që disa armë amerikane të bien në duar të panjohura, tha një zyrtar tjetër i Pentagonit.

Vlerësimet perëndimore për viktimat e Ukrainës dhe hollësi të tjera të fushëbetejës mbeten gjithashtu ‘të mjegullta’, shtuan dy burime të inteligjencës, që do të thotë se SHBA dhe aleatët e saj në NATO shpesh detyrohen të varen nga informacioni i qeverisë në Kiev, për të cilin ata thanë se nuk është gjithmonë i besueshëm.

Që kur Rusia nisi sulmin e saj ndaj Ukrainës në fund të shkurtit, Uashingtoni ka ofruar më shumë se 2.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin dhe disa miliardë të tjera në ndihmë humanitare, ndërsa Presidenti Joe Biden ka dërguar gjithsej 3.2 miliardë dollarë që nga marrja e detyrës në 2020.

Më shumë se 100,000 ushtarë amerikanë janë ridislokuar gjithashtu për të forcuar ‘krahun lindor’ të NATO-s, ndërkohë që anëtarët individualë të bllokut ushtarak kanë ofruar edhe vetë miliarda euro ndihmë.

Që nga e marta, Shtëpia e Bardhë raportohet se po shqyrton një paketë tjetër të madhe ndihme ushtarake për Ukrainën në përgatitje për një sulm rus në territorin e Donbasit, pasi autorizoi 800 milionë dollarë në artileri të rëndë, drone, automjete të blinduara, helikopterë ushtarakë dhe të tjera pajisje javën e kaluar.