Vendosni fjalën kyçe....

Grupi parlamentar i PD-së kërkesë në Kushtetuese: Të shfuqizohet Bordi për çmimet e produkteve të shportës


Deputetët e Partisë Demokratike, Dashnor Sula dhe Bledion Nallbati, kanë dorëzuar këtë të hënë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Bordit të përcaktimit të çmimit të produkteve ushqimore.

Deputeti Sula tha në një prononcim për mediet se bordi i ka rritur çmimet e ushqimeve gati dyfish më shumë duke i vështirësuar jetesën qytetarëve e kthyer në ditë dimri të gjitha ditët e verës.

“Sapo dorëzuam kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë për bordin për çmimet e ushqimeve. Qeveria i ka kthyer në ditë dimri të gjitha ditët e verës për qytetarët shqiptarë. Kanë paguar çmime të larta për të gjitha produktet ushqimore. Paketat e ndihmës së qeverisë ishin tërësisht të pamjaftueshme. Unë bashkë me kolegët e PD kemi bërë përllogaritje dhe del që është 76.7% rritja e produkteve të shportës. Gati dyfishim.

Paketa që jep kjo qeveri janë vetëm thërrime. Kjo është për të ardhur keq dhe gjej momentin t’i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë me procedurë të përshpejtuar këtë kërkesë. Ky bord është abuziv dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të shqiptarëve. Është një bord që përbëhet nga qeveria dhe grosistët, zero përfaqësim të qytetarëve shqiptarë. Është thjeshtë propagandë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve për vonesën.”- tha Sula.

Kjo është kërkesa e dytë që ky grup parlamentar dërgon në Gjykatën Kushtetuese brenda pak ditësh. Pak ditë më parë, kërkuan shfuqizimin e Bordit të Transparencës për Karburantet.