Vendosni fjalën kyçe....

Gjermanët mund të ‘mbesin pa vend’ së shpejti – Trump


Gjermania së shpejti mund të pushojë së ekzistuari si vend mes përshkallëzimit të krizës energjetike, ka sugjeruar ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Gjatë një mitingu në Youngstown, Ohio, të shtunën, Trump u përplas me pasardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në shënjestër politikën energjetike të Biden dhe në veçanti të ashtuquajturën Marrëveshje të Re të Gjelbër.

Ish-presidenti pretendoi se, megjithëse nën sundimin e tij, SHBA-të ishin bërë të pavarura për sa i përket energjisë dhe në rrugën e duhur për t’u bërë ‘totalisht dominuese në energji, më të madhe se Arabia Saudite dhe Rusia së bashku’, Joe Biden që atëherë e ka çuar SHBA-në të lypë për energji.

Trump më pas vazhdoi duke përmendur gjendjen e dhimbshme të Gjermanisë në këtë fushë. Sipas ish-presidentit, ai paralajmëroi kancelaren e atëhershme Angela Merkel se gazsjellësi Nord Stream 2, i cili supozohej të pomponte gazin rus në Gjermani, do ta bënte Berlinin edhe më të varur nga eksportet ruse të energjisë.

 “Nëse po merrni 72% të energjisë nga Rusia, atëherë keni ngritur flamurin e bardhë, sepse do dorëzoheni shumë shpejt.” – tha ish-kreu i shtetit amerikan për paralajmërimin e tij për Merkelin.

Ai vazhdoi të citonte ‘gjërat e këqija’ që kanë ndodhur midis Berlinit dhe Moskës në të kaluarën si provë se Gjermania nuk duhej të ishte mbështetur kaq shumë te Rusia.

Ish-presidenti amerikan përfundoi duke thënë se ‘Gjermania tani po i kthehet gjërave të modës së vjetër, duke përfshirë qymyrin’, pavarësisht premtimeve të saj të mëparshme për të gjelbëruar energjinë.

“Por ata nuk kanë zgjidhje, nuk do të kenë një vend, nuk do e kenë vendin.” – paralajmëroi Trump.

Çmimet e gazit në Evropë u rritën në mënyrë dramatike menjëherë pasi Rusia nisi ofensivën e saj ushtarake kundër Ukrainës në fund të shkurtit, dhe që atëherë kanë mbetur vazhdimisht më të larta se vitin e kaluar.

Me tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 tani jofunksionale, qeveria gjermane ka vendosur masa urgjente për të rezervuar gazin.

Shumë zyrtarë të lartë në Gjermani kanë paralajmëruar se dimri i ardhshëm ka të ngjarë të jetë i ashpër.