Vendosni fjalën kyçe....

Liderët evropianë letër Kurtit: Presim diskutim për propozimin e BE-së dhe obligimet nga dialogu më 27 shkurt


Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj.

Të tre liderët i kanë bërë këto deklarata në një letër nisur kryeministrit Kurti, një ditë para takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.

I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

“Në konkluzionet e 9 shkurtit, Këshilli Evropian e ka shprehur mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, kanë thënë liderët evropianë.

Ata kanë thënë se presin që në takimin e 27 shkurtit të diskutohet për propozimin e BE-së dhe obligimet që dalin nga procesi i dialogut, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar më 25 shkurt se i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që tani është koha për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.