Vendosni fjalën kyçe....

Porti i Durrësit për naftën kontrabandë: Ne nuk përpunojmë hidrokarbure, anija do shkonte në Porto Romano, pyetjet drejtojani policisë e prokurorisë


Porti i Durrësit ka reaguar në lidhje anijen çisternë me mbi 2 mijë ton naftë kontrabandë që vinte nga Libia dhe që u sekuestrua gjatë operacionit të titulluar “Ring”.

Në një përgjigje pas kërkesës së “News 24” dhe “Balkanweb” për informacion, Autoriteti Portual thotë se në Portin e Durrësit nuk përpunohen anije hidrokarburesh dhe se anija që transportonte hidrokarbure ishte parashikuar të përpunohej në facilitetet portuale private në Porto Romano.

Më tej Porti i Durrësit i këshillon gazetarët që për pyetjet që kanë, t’i drejtohen organeve kompetente, Policisë, Prokurorisë dhe Doganave.

REAGIMI I AUTORITETIT PORTUAL

Në përgjigje të kërkesës Tuaj për informacioni, me nr. Prot. Nr. 42, dt. 15. 09.2022, bazuar në ligjin nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në lidhje me pyetjet e adresuara pranë Autoritetit Portual Durrës, ju informojmë se :

Në Portin e Durrësit nuk përpunohen anije hidrokarburesh. Anija në fjalë është anije që transportonte hidrokarbure dhe si e tillë ishte parashikuar të përpunohej në facilitetet portuale private në Porto Romano, ku Autoriteti Portual Durrës nuk ushtron asnjë kompetencë.
Gjatë ditës së hënë, dt. 12 shtator 2022, me kërkesë të organeve ligjzbatuese dhe në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, APD ka mbështetur ekipet e organeve ligjzbatuese për mbarëvajtjen e veprimeve të tyre operacionale dhe tekniko-ligjore në kuadër të bllokimit të anijes në fjalë.
Lutem që për pyetjet tuaja, per sa i përket rrethanave të ngjarjes dhe veprimeve hetimore përkatese, t’i drejtoni pranë organeve kompetente, me konkretisht organeve të Prokurorisë, Policisë dhe doganave.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin dhe në përputhje me dispozitat e ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, shprehim gatishmërinë tonë nëse lind nevoja për sqarime të mëtejshme sa i takon Autoritetit Portual Durrës.