Vendosni fjalën kyçe....

Pronarët e bareve e restoranteve në Itali ekspozojnë faturat e tyre të energjisë teksa luftojnë për mbijetesë


Teksa luftojnë për të përballuar çmimet në rritje të energjisë, pronarët e bareve dhe restoranteve në gjithë Italinë kanë vendosur të ndajnë dhimbjen e tyre me klientët, duke ekspozuar faturat e tyre ‘të padurueshme’ të gazit dhe energjisë elektrike.

Nisma mbarëkombëtare “Bollette in Vetrina” (Faturat në vitrinë) u nis nga Fipe-Confcommercio, shoqata italiane e bizneseve të shitjes me pakicë dhe hotelierisë, me synimin për të ndërgjegjësuar klientët për realitetin e zymtë: faturat e energjisë janë trefishuar në krahasim me një vit më parë.

Tarifa e rëndë nga kriza e vijueshme e energjisë, pasojë e luftës në Ukrainë dhe ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia në Evropë, po i detyron shitësit e vegjël dhe të mesëm të zgjedhin midis imponimit të rritjes së çmimeve për klientët e tyre ose mbylljes.

“Nisma synon të bëjë transparente atë që po ndodh sot për ata që menaxhojnë një bar apo restorant në përpjekje për t’u shpjeguar klientëve pse po paguajnë pak më shumë për kafen, me rrezikun e rritjeve të mëtejshme në muajt në vijim.” – tha Aldo Cursano, zv.president i Fipe-Confcommercio.

“Me rritje të kostove të energjisë deri në 300%, ne po punojmë sikur na kanë drejtuar armën në kokë.”

Pronarët e bareve dhe restoranteve tani shpresojnë që klithma e tyre për ndihmë do të dëgjohet nga qeveria para se të jetë tepër vonë.

“Siç shihet nga numrat, në korrik faturat tona u trefishuan. Ne kemi shkuar nga një faturë mujore prej 2,300 euro (2,321 dollarë) në një faturë prej 6,900 eurosh.” – tha për Anadolu Agency, Giorgio Catalano, menaxheri i ‘Il Piçolo Diavolo’, një bar në qendër të Romës.

Ai vuri në dukje faturën ‘përbindësh’ të shfaqur pikërisht përballë sportelit të lokalit me një kuti të kuqe që shkruante ‘errësirë’ për muajin gusht, pasi faturat pritet të jenë rritur edhe më tej.

“Tendenca është ende në rritje, dhe tani po përballemi me muajt e vjeshtës dhe të dimrit, që do thotë më pak dritë, më pak diell dhe nevojë për të ndezur dritat për më gjatë.” – vuri në dukje ai, duke shtuar se gjendja është ‘e pamundur të menaxhohet’.

Catalano shtoi se nëse trendi vazhdon, atij do i duhet të shkurtojë orët e punëtorëve, gjë që do nënkuptonte uljen e të ardhurave.

“Por edhe në atë rast, ne do të mbijetonim vetëm dy ose tre muaj. Është e pamundur të mendosh të drejtosh një lokal për të gjithë sezonin apo një vit me këto kosto.”

Sipas Fipe-Confcommercio, rreth 120,000 biznese në sektorin e shërbimeve janë në rrezik të mbylljes brenda gjashtë muajve të parë të 2023, të varrosura nga inflacioni i paqëndrueshëm dhe kostot e energjisë, me rreth 370,000 vende pune në rrezik.

Pronarët e bizneseve sugjerojnë që qeveria të miratojë masa urgjente të ngjashme me ato të miratuara për të ndihmuar qytetarët dhe firmat të përballen me emergjencën e pandemisë së koronavirusit, duke përfshirë ndihmën fiskale dhe grante speciale.