Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania rrezikon deindustrializimin – The Economist


Sfida më e madhe me të cilën përballet tani sektori industrial gjerman paraqitet nga rritja e kostove të energjisë, raportoi të dielën The Economist, duke cituar shoqatën e industrisë gjermane BDI.

“Substanca e industrisë sonë është nën kërcënim.” – tha presidenti i BDI Siegfried Russwurm siç citohet nga media, duke shtuar se situata po duket ‘helmuese’ për shumë biznese.

Sipas shoqatës, çmimi i energjisë elektrike për vitin e ardhshëm tashmë është pesëmbëdhjetëfishuar, kurse çmimi i gazit dhjetëfish. Në korrik, industria e vendit, e cila është detyruar të zvogëlojë kapacitetet e prodhimit, thuhet se konsumoi 21% më pak gaz se në të njëjtin muaj të 2021-shit.

Kompanitë më të vogla janë duke luftuar më shumë se ato më të mëdhatë, sipas një studimi nga kompania këshilluese FTI Andersch, e cituar nga mediat. Rreth 25% e firmave me më pak se 1,000 punonjës u detyruan të anulojnë ose kundërshtojnë porositë, ose po planifikojnë ta bëjnë këtë, krahasuar me 11% të atyre me mbi 1,000 punonjës.

Pothuajse 10,000 prodhues të bukës thuhet se po përballen me vështirësi si kurrë më parë në Gjermaninë e pasluftës, pasi kostoja e energjisë elektrike dhe gazit të nevojshme për ngrohjen e furrave dhe funksionimin e makinerive të brumosjes është rritur jashtëzakonisht shumë.

Sondazhi i BDI i 600 kompanive të mesme tregoi se gati një në dhjetë ndërpreu ose zvogëloi prodhimin për shkak të kostove të larta të lëndëve të para, ndërsa më shumë se nëntë në dhjetë thanë se rritja e çmimeve të energjisë dhe lëndëve të para është një sfidë e madhe ose ekzistenciale për ta.

Një në pesë kompani thuhet se po mendon të zhvendosë një pjesë ose të gjithë prodhimin e tyre në një vend tjetër. Kompanitë më të mëdha që përdorin kapacitete prodhimi me energji intensive, si prodhuesit e kimikateve ose çelikut, mund të zhvendosen gjithashtu jashtë vendit, pasi u duhet të konkurrojnë me rivalët në vende të tjera, ku kostoja e energjisë është më e ulët.

Nëse çmimet e energjisë mbeten të larta për një kohë, deri në 3% e bizneseve gjermane me energji intensive do zhvendosen jashtë vendit, sipas Holger Schmieding, kryeekonomist i bankës private Berenberg.