Irani ka reaguar pas sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të vendosura këtë javë ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe ministrit të saj pasi Teherani u akuzua se qëndron pas sulmit kibernetik kundër Shqipërisë.
“Mbështetja e menjëhershme e Amerikës për akuzën e rreme të qeverisë shqiptare…tregon se projektuesi i këtij skenari nuk është kjo e fundit, por qeveria amerikane.”- tha në një deklaratë më 10 shtator, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, citon rferl.
Shqipëria urdhëroi zyrtarët iranianë të largoheshin nga vendi më 7 shtator dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin pas një hetimi për sulmin kibernetik që synonte infrastrukturën dixhitale të qeverisë.
Shtetet e Bashkuara njoftuan më pas sanksione të reja kundër ministrit iranian të inteligjencës dhe sigurisë, Esmail Khatib dhe ministrisë në tërësi.
“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, e cila përfshin një normë për t’u përmbajtur nga dëmtimi i infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun.”- tha më 9 shtator nënsekretari i Thesarit të SHBA-së, Brian Nelson.
Përveç dënimit të sanksioneve të reja më 10 shtator, Kanani akuzoi Uashingtonin se “i jep mbështetje të plotë një sekti terrorist”, duke iu referuar Organizatës së Mujahedin-e Khalq (MEK).
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ra dakord në vitin 2013 të pranonte anëtarë të MEK-ut nga Iraku dhe mijëra anëtarë të organizatës janë vendosur që atëherë në Manzë.
“Kjo organizatë kriminale vazhdon të luajë një rol si një nga mjetet e Amerikës në kryerjen e akteve terroriste, sulmeve kibernetike kundër Iranit”- tha Kanani, pa dhënë prova.
MEK është një organizatë politiko-militante në mërgim që ka mbrojtur përmbysjen e regjimit klerik të Iranit dhe të cilën Teherani e konsideron si një organizatë terroriste.