Vendosni fjalën kyçe....

“Duan të na e marrin Veriun!”- Vuçiç revoltohet pas patrullimit të parë të Policisë së Kosovës në liqenin e Ujmanit


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka reaguar ashpër pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoji ditën e djeshme se për herë të parë që nga paslufta Policia e Kosovës ka nisur patrullimet në Liqenin e Ujmanit, në kufirin ujor me Serbinë.

Siç raporton REL, Vuçiç është shprehur se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi po bëjnë përpjekje të marrin Veriun e Kosovës”.

Ai paralajmëroi Prishtinën zyrtare dhe Bashkimin Evropian se Beogradi “nuk do ta tolerojë atë” më.

Sipas Vuçiçit bëhet fjalë për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit. Sepse sipas tij, marrëveshja e Brukselit thotë policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, pra “serbët duhet të jenë aty”.

Një ditë më parë ministri Sveçla njoftoi përmes një postimi se “Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”.

Më pas ministri i Brendshëm kosovar. publikoi edhe një video në Facebook, ku shihen oficerë kosovarë që patrullojnë me mjete lundruese liqenin.

“Pamje gjatë patrullimit të Policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, në shtrirjen e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e integritetit territorial.”– ka shkruar Sveçla krahas videos.