Vendosni fjalën kyçe....

“Papunësia më e lartë në Evropë” – Ilir Meta: 79% duan të ikin, të rinjtë s’krijojnë dot familje


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se Shqipëria është vendi me papunësinë më të lartë të të rinjve në Evropë.

Duke iu referuar të dhënave të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, ai shton se 79% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi.

Ai ka shpërndarë dhe një video, ku një qytetar tregon se sot është e vështirë për çiftet e reja që të mendojnë për krijimin e familjes dhe Meta ia atribuon këtë ccmimeve të larta për blerjen e apartamenteve.

“Shqipëria është vendi me papunësinë më të lartë të të rinjve në Europë.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, 79% e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë largohen nga vendi për shkak të pagave të ulta.

Tirana është ndër tre kryeqytetet me çmimet më të larta në Europë për blerjen e apartamenteve, duke penalizuar më së shumti çiftet e reja dhe duke ua bërë të pamundur të rinjve ndërtimin e familjes dhe të ardhmes së tyre në Shqipëri.

Ndërsa Qeveria është kthyer në asfiksuese e së ardhmes së të rinjve, rikthimi i shpresës dhe mbrojtja e familjes dhe vendit nga shpopullimi është kthyer në një mision mbarëkombëtar, për të cilin nuk do të ndalemi në asnjë moment.”- shkruan Meta.