Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi kibernetik i Iranit/ Lulzim Basha: Mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen


Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe për t’i lënë 24 orë afat stafit të Ambasadës iraniane për t’u larguar nga Tirana.

Në një postim në “Twitter”, Basha shprehet se ky sulm dëshmon rëndësinë që kanë SHBA-të dhe aleanca e NATO-s për sigurinë tonë.

Ndërsa falenderon qëndrimin e SHBA-ve për ta bërë Iranin përgjegjës.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë dëshmon sërisht rëndësinë jetike që ka Aleanca e NATO’s për sigurinë tonë.  Ne u jemi mirënjohës SHBA për mbështetjen e pazëvendësueshme dhe qëndrojmë krah për krah aleatëve tanë në NATO për ta mbajtur Iranin përgjegjës dhe për të parandaluar kërcënimet dhe aktet kundër sigurisë sonë të përbashkët.”- shkruan Basha.

 

Ky reagim vjen pasi sot kryeministri Edi Rama në një deklaratë të jashtëzakonshme tha se sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë më 15 korrik është orkestruar dhe sponsorizuar nga Irani.

Teksa pohoi se sulmi kibernetik kishte dështuar kreu i qeverisë theksoi se në sulm ishin përfshirë katër grupe famëkeqe për sulmet kibernetike me njërin që është përfshirë në sulme të mëhershme ndaj Izraelit, Arabisë Saudite, Emirateve Arabe, Jordanisë, Kuvajtit e Qipros. Deklarata e Ramës u mbështet nga SHBA, që reagoi menjëherë përmes një deklarate nga zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson e cila kërkon hetim të plotë për përgjegjësit dhe theksoi se SHBA do veprojë lidhur me rastin.