Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç u tërhoq nga ora policore, por në Beograd dhe Novi Sad qytetarët mblidhen në protestë


Në Beograd dhe Novi Sad të Serbisë, në mbrëmjen e së premtes, sërish janë organizuar protesta.

Në Beograd pas orës 19:00 qytetarët filluan të mblidhen para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë, pavarësisht faktit se në fuqi është masa e ndalimit të tubimeve të më shumë se 10 personave, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

E njëjta masë është në fuqi edhe në Novi Sad.

Protesta në Novi Sad filloi menjëherë pas orës 18. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestuesit mbartën një pankartë me mbishkrimin “Kushdo që të rrah me një shkop, ti i jep një revolucion”.

Disa qindra qytetarë u mblodhën gjithashtu në qendër të Nishit, një qytet në jug të Serbisë.

Arsyeja e protestës së parë, të mbajtur të martën, më 7 korrik, ishte njoftimi për shtrëngimin e masave epidemiologjike, siç është vendosja e orës policore.