Vendosni fjalën kyçe....

“Duhet të jetë e qartë se kur aleati ynë sulmohet, SHBA vepron”- Ambasadorja Kim flet për sulmin kibernetik pas takimit me Nikollën e Gjekmarkajn


Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka takuar sot në Kryesinë e Kuvendit, kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe nënkryetarin Agron Gjekmarkaj.

Përpara gazetarëve, Kim tha se ky takim është pjesë e traditës së ambasadorëve amerikanë në çdo nisje sesioni parlamentar.

“Sapo kam zhvilluar takime shumë të mira me kryetaren e Kuvendit Nikolla dhe nënkryetarin Gjekmarkaj. E kemi bërë pjesë të traditës që të takohemi me kryetarët e Kuvendit në fillim të çdo sesioni parlamentar.

Është e rëndësishme që të vazhdojmë të angazhohemi në mënyra që theksojnë rëndësinë e ligjeve, mbajtjen e rregullave si dhe forcimin e institucioneve demokratike. Kjo është arsyeja pse ndodhesha këtu. Do të vazhdojmë të takohemi me të gjithë ata drejtues që janë zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që kanë një rol legjitim për të luajtur në forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit.”- tha Kim.

Ambasadorja Kim komentoi gjithashtu sulmet kibernetike dhe vendimin e kryeministrit Edi Rama për ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin.

“Dua të theksoj rëndësinë e veprimit që është ndërmarrë kundër sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Ne e kemi parë deklaratën e bërë nga kryeministri Rama sot në mesditë. Shtëpia e Bardhë është përgjigjur menjëherë dhe me forcë. Duhet të jetë absolutisht e qartë që kur miku dhe aleati ynë Shqipëria është nën sulm, SHBA do të ndërmarrë veprime.”- tha Kim.