Vendosni fjalën kyçe....

INTERVISTA – Grupi i hackerave: Do vazhdojmë publikimet, kemi marrë gjithë databazën e E-Albania


Hashtag.al i shkroi në aplikacionin Telegram poseduesve të grupit Homelandjustice, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për zhvatjen e të dhënave elektronike të e-Albania, ndërsa prej disa javësh ata po publikojnë pjesë-pjesë të dhëna të ndryshme.

Anëtarët e këtij grupi pranuan të flisnin për ne, por nuk e fshehën faktin se ishin skeptikë ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët prej tyre konsiderohen si të shitur dhe të korruptuar.

Më poshtë mund të lexoni komunikimin e bërë në chat me këtë grup, në formën e një interviste të improvizuar.

Nëse do e përkufizoje veten; si do ishte përkufizimi?

Ne nuk jemi një person i vetëm, ne jemi zëri i të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Politikanët na kanë braktisur dhe janë në krah me terrorista.

Supozojmë se është kështu siç thoni ju, çfarë do ndryshoni nga kjo situatë me hackimin e e-mail-eve?

Nuk kemi hakeruar vetëm email-e, të gjithë databazat e lidhura me “e-Albania” janë në dorën tonë, plus edhe shumë informacione të tjera. Qeveria po mban mediat e heshtura por e dinë që ne kemi në dorë këto informacione. Kemi publikuar email-et e disa ambasadave, dhe të Edi Ramës. Do të publikojmë më shumë informacione që do të dëmtojnë qeverinë.

Cilët konsideroni terroristë konkretisht?

Qeveria ka mirëpritur terroristë iranianë me taksat tona. Këta e kanë vendin në burg. Të gjithë e dinë se kush janë dhe ku janë. Sa gjatë do rrinë në Tokën tonë?

Kuptoj. Kam patur mundësinë të shoh email-et e kryeministrit. Ato që keni bërë publike  deri tani janë kryesisht irrelevante pa asnjë vlerë. Si duhet ta kuptoj këtë publikim tuajin?

Siç e shihni ne po publikojmë çdo javë materiale të reja. Email-et e Edi Ramës u zgjodhën nga shqiptarët duke votuar online. Ne do ju japim mundësinë të zgjidhni se çfarë publikohet. Qeveria duhet të vuajë për miqësinë me terroristët e Durrësit.

Disa mendojnë se fakti që ju publikuat email-e të parëndësishme për Edi Ramën, mund të jetë tregues se në fakt ju kontrolloheni prej qeverisë. Si do i komentonit këto zëra dyshues?

Ne jemi të drejtpërdrejtë me ata që na ndjekin. Nuk ka dyshime. Media dhe parlamenti janë keqdashës ndaj qytetarëve. Fatkeqësisht çdo analist që del në televizor është i shitur. Fatkeqësisht nuk ka asnjë në Parlament që na mbron neve. Me taksat tona po u japim jetë luksoze terroristëve në Durrës. Do vazhdojmë të dëmtojmë qeverinë e korruptuar.

Posedoni të tjera email-e të kryeministrit që e kompromentojnë atë në komunikime, që e implikojnë atë në konflikt interesi ose korrupsion?

Ne kemi informacione dhe materiale që do ja tregojnë botës pafytyrësinë e këtyre terroristëve dhe politikanëve. Do vazhdojmë do hedhim materiale të reja në faqen tonë dhe në Telegram @HomeLandJustice.