Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari serb: Albin Kurti po shpik ndikimin rus në rajon, po nxit konflikte në Kosovë


Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se po nxit konflikte me deklaratën e tij se Bashkimi i Komunave Serbe nuk do të formohet kurrë dhe se serbët duhet të pranojnë vendimet për targat dhe letërnjoftimet.

Petkoviç, në një deklaratë me shkrim tha se Kurti “shpik” ndikimin e pretenduar të Rusisë në çdo deklaratë sepse dëshiron jo vetëm të sulmojë Beogradin, por edhe të justifikojë veprimet e reja “të njëanshme dhe të dhunshme të ardhshme kundër popullit serb në krahinë”.

Siç shkruajnë mediet serbe, mes të tjerash Petkoviç shtoi se “Përpjekjet e Prishtinës për të imponuar axhendën e bisedimeve në Bruksel me disa ëndrra boshe për njohje reciproke, nuk janë gjë tjetër veçse një taktikë për ta bërë dialogun të pakuptimtë dhe për ta prishur atë edhe para fillimit të tij.”