Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Jashtme e Kinës: Stërvitjet ushtarake pranë Tajvanit në përputhje me ligjin ndërkombëtar


Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin thotë se stërvitjet e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës pranë Tajvanit janë në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ligjin ndërkombëtar.

“Tajvani është territori i Kinës. Stërvitjet e rregullta të Kinës në ujërat dhe hapësirën ajrore të saj janë një masë e hapur, e drejtë dhe profesionale. Agjencitë përkatëse kineze nxorën njoftime për këtë çështje në kohën e duhur.”- vuri në dukje ai gjatë një konference për mediet këtë të hënë. “Është në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ligjin ndërkombëtar, si dhe me praktikat ekzistuese.”– shtoi Wang Wenbin.

Diplomati nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse stërvitjet kanë përfunduar dhe nëse do të ketë njoftim për kohëzgjatjen e tyre.

Të enjten, forcat e armatosura kineze nisën stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë që përfshinin gjuajtje të drejtpërdrejtë në gjashtë zona rreth Tajvanit. Stërvitjet fillimisht pritej të përfundonin mesditën e së dielës, por që atëherë, Kina ka njoftuar dy herë një vazhdim të stërvitjeve.

Kujtojmë se stërvitjet filluan të nesërmen pas vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Nancy Pelosi në Tajvan.