Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti flet për median italiane: Rrezikojmë luftë, pas Serbisë është Putini


Pas tensioneve në veri me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ekziston rreziku i një lufte.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për median italiane repubblica.it, dhe iu referua situatës pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Rreziku i një konflikti të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekziston. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thosha të kundërtën, veçanërisht pasi bota e ka parë se çfarë ka bërë Rusia me Ukrainën.”– u shpreh Kurti.

Ai pranoi se me NATO-n në krah Kosova është më e sigurt, por pranoi se rreziku është i lartë.

“Nuk dua të them se është shumë i madh. Ne kemi kontingjentin e NATO-s këtu, por sigurisht është i lartë. Ne jemi një demokraci në kufi me një autokraci, në fund të fundit. Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini, ishte Ukraina. Nëse kemi një episod të dytë, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta.”- tha ai.

Lidhur me tensionet për dokumentet dhe targat kosovare, Kurti u shpreh se në javën e tretë të gushtit do të ketë një takim në Bruksel dhe shpreson të ketë një ulje të tensioneve. Për protestat e serbëve, ai thotë se kanë mbështetjen ruse.

“Në javën e tretë të gushtit do të ketë një takim në Bruksel mes nesh dhe serbëve për aspektet e përgjithshme të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shpresoj se do të ndihmojë në uljen e tensionit. Protesta nuk u ngrit spontanisht, ajo u organizua nga Beogradi dhe u mbështet nga Rusia.”- tha Kurti.