Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar se Evropa mund të kthehet në atë që ai e quajti “makthi i konfrontimit ushtarak”.
Në një konferencë për shtyp në Suedi, Lavrov hodhi idenë e një pakti të ri evropian të sigurisë, në përpjekje për të ndaluar zgjerimin e NATO-s në lindje.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi për “pasoja serioze” nëse Rusia kërkon konflikt me Ukrainën.
Ky takim në Suedi vjen pasi Rusia rriti ushtrinë e saj pranë kufirit të Ukrainës.
Ukraina thotë se Rusia ka grumbulluar më shumë se 90 mijë ushtarë atje. Moska mohon se po përgatit një sulm ndaj Ukrainës dhe akuzon Kievin nga ana tjetër për rritjen e prezencës së tij ushtarake në kufi.
Ndërsa tensionet rriten, Rusia tha të enjten se kishte arrestuar tre agjentë të dyshuar të shërbimit të sigurisë ukrainase. Njëri nga të tre akuzohej për planifikim të një sulmi terrorist, ndërsa dy të tjerët kishin kërkuar të mblidhnin inteligjencë, tha Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë.
Siç shkruan BBC, Lavrov dhe Blinken u takuan në një konferencë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Zyrtarët amerikanë thanë se të dy palët kishin rënë dakord për dialog të mëtejshëm për Ukrainën.
Por më parë, Lavrov tha në një fjalim se NATO po refuzonte të shqyrtonte në mënyrë konstruktive propozimet për të ulur tensionet dhe për të parandaluar incidente të rrezikshme.
“Infrastruktura ushtarake e aleancës po afrohet në mënyrë të papërgjegjshme me kufijtë e Rusisë në Rumani dhe Poloni, duke vendosur një sistem mbrojtjeje kundër raketave që mund të përdoret si një kompleks sulmi.”- tha ai. “Raketat amerikane me rreze të mesme veprimi janë gati të shfaqen në Evropë, duke rikthyer skenarin e tmerrshëm të një konfrontimi ushtarak”.
Ai paralajmëroi NATO-n kundër kthimit të vendeve fqinje me Rusinë, dmth Ukrainën, në “ura të konfrontimit” dhe tha se shpresonte se propozimet ruse për një pakt të ri sigurie do të shqyrtoheshin me kujdes.