Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarët e Zimbabves kanë më tepër integritet se palaçot tanë



Nga Klodian Tomorri

Dje Këshilli Bashkiak i Hararës në Zimbabve anuloi koncesionin e inceneratorit me kompaninë Geogenix. Megjithë presionin e qeverisë dhe presidentit, anëtarët e Këshillit votuan unanimisht për anulimin e kontratës. Sapo mbaroi votimi, kryetari i bashkisë i tha ministrit që bënte presion; “po nuk je i kënaqur shko në gjykatë”.

Në Tiranë, kryetari i Bashkisë i pagoi 2 milionë dollarë koncesionarit të inceneratorit vetëm në muajin qershor. Por jo vetëm kaq. Këtu qeveritarët po bëjnë garë kush t’i paguajë më shumë para koncesionit të inceneratorit. Jep Lali, jep Belinda, jep Frida për serra dhe kantina vere, jep ajo e Durrësit.

Në Zimbabve nuk është provuar që marrëveshja e koncesionit ishte korruptive, por pavarësisht kësaj Bashkia e anuloi. Në Shqipëri ka persona të arrestuar ose në kërkim dhe është e provuar se personat e lidhur me kompaninë koncesionare kanë dhënë rryshfete të mëdha dhe kanë bërë evazion galopant. Por pavarësisht kësaj, bashkia dhe qeveria pompojnë miliona euro çdo muaj drejt kompanisë.

Në klasifikimin e përvitshëm të Transparency, Zimbabvja renditet në vendin e 157 në botë për kontrollin e korrupsionit. Në të njëjtin raport Shqipëria renditet e 110-a. Zotërinj dhe zonja të nderuar të Transparency! Rishikoni renditjen se i keni hyrë në hak Zimbabves. Shumë madje.

Në gjithë këtë gropë të madhe septike, që po qelb gjithë Ballkanin, drejtuesi i SPAK del e deklaron se çështja e inceneratorëve është komplekse. Përfundimi? Një zimbabvez është shumë më i mbrojtur nga korrupsioni se një shqiptar. Zyrtarët e shtetit të Zimbabves kanë shumë herë më tepër integritet se palaçot tanë.

E kuptoni ku jetojmë?