Vendosni fjalën kyçe....

Skafi me 1 ton drogë për në Itali, reagon ministri Çuçi: Të vendosur për të vijuar luftën e vazhdueshme me të keqen


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar lidhur me operacionin që zbuloi një rast të trafikut të drogës në drejtim të Italisë, ku në afërsi të Karaburunit u sekuestruan gati 1 ton kanabis.

Në një postim në rrjetet sociale, Çuçi shprehet se ky operacion është një tjetër dëshmi e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar. Ai përgëzon oficerët që morën pjeë në operacion.

“Operacioni i sotëm ndërkombëtar në Vlorë mes Policisë së Shtetit dhe Guardia Di Finanza për goditjen e një grupi të trafikut të drogës me mjete lundruese dhe sekuestrimin e një rreth 1 ton marijuanë, është një tjetër dëshmi domethënëse e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar. Përgëzime të gjithë oficerëve shqiptarë e italianë që morën pjesë në këtë operacion të mirëkoordinuar nga ajri, deti dhe toka. Qëndrojmë frontalisht të vendosur për të vijuar luftën e vazhdueshme me të keqen, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë krijojmë siguri për shoqërinë dhe garantojmë të ardhmen tonë.”– shkruan Çuçi.

Gjatë operacionit antidrogë të koduar “The Eye” që u zhvillua nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza në gjirin e Arushës. u arrestuan 3 skafistë nga Vlora dhe 2 shtetas ukrainas.