Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në Kurbin e Mirditë, ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit malor


Vijon problematike gjendja e zjarreve në Elbasan, Kurbin e Mirditë. Në Skuraj të Kurbinit është shfaqur një vatër e re zjarri që është bërë problematike për shkak të temperaturave të larta e erës së fortë.

Ndërhyrja nga toka paraqitet e vështirë për shkak të terrenit malor ndërsa pritet që një helikopter të ndërhyjë nga ajri për të vënë nën kontroll flakët. Në Kaçinar të Mirditës ka një vatër zjarri aktive.

Pavarësisht mbërritjes në vend të disa mjeteve zjarrfikëse, ndërhyrja nuk paraqitet e lehtë për shkak të terrenit të thyer. Ndërkohë mbrëmjen e djeshme një zjarr i fuqishëm ka shkrumbuar kurorën me ullinj të Elbasanit.

Për disa orë më radhë zjarri vijoi të digjej pa ndalur ndërsa nuk dihet gjendja në terren sot. Kreu i Partisë së Lirisë Meta denoncoi atë që e quajti papërgjegjshmëri e indiferencë të shtetit duke u kërkuar që të lënë pushimet e të kthehen në detyrë për të shuar flakët që kanë goditur vendin.