Vendosni fjalën kyçe....

PD: Rama rriti çmimin e energjisë për 88% të qytetarëve e 100% të biznesit, do e ulim menjëherë


Partia Demokratike ka premtuar uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin.

Përfaqësuesi i selisë blu, Bozdo, tha se Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon me përjashtim të Malit të Zi.

Ai theksoi se Shqipëria lë pas për çmimin e energjisë edhe vende të zhvilluara si Gjermania, Franca, Holanda, Suedia e Anglia.

“Në vitin 2013-të Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin se do të ulte çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe për biznesin. Në 2015-ën, ai realizoi rritjen më të madhe të çmimit të energjisë elektrike për të dy kategoritë. Sot Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, me përjashtim të Malit të Zi. Në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria renditet e 21-ta në Europë, duke lënë mbrapa, pra duke patur çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike, vende të zhvilluara të BE si Gjermania, Franca, Hollanda, Suedia, Anglia etj.” – tha Bozdo.

Ai theksoi më tej se pjesa dërrmuese e familjeve dhe të gjitha bizneset paguajnë sot më shumë për energjinë elektrike duke rënduar jashtë mase buxhetin familjar e kostot e biznesit.

“88% e familjeve shqiptare dhe 100% e bizneseve, sot paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Një familje shqiptare paguan mesatarisht 64 mijë lekë të vjetra në vit më shumë. Bizneseve u është rritur çmimi me mesatarisht 20%. Fashat të caktuara të biznesit shkojnë në rritje të çmimit nga 35 deri në 40%.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, anketimit mbi ndërmarrjet, 43% e kompanive që operojnë në Shqipëri e cilësojnë furnizimin me energji elektrike si pengesën kryesore të të bërit biznes. Kjo shifër 7 vite më parë ishte vetëm 20%. 52% e kompanive deklarojnë që kanë një gjenerator, sepse vuajnë nga ndërprerjet e shpeshta dhe tensioni i ulët i energjisë elektrike. 18.6 ditë i duhet një biznesi për t’u lidhur në rrjet, ndërkohë që 7 vjet më parë kjo shifër ishte vetëm 10 ditë. Biznesi shqiptar vuan nga sistemi i energjisë elektrike. Sot përllogaritet, sipas raportit të BB, që 2% e prodhimit të ekonomisë shqiptare humbet si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike. Është afërsisht një shifër 200 milion euro në vit, një shofër e stërmadhe po të mendojnë se vetëm 100 milion euro qeveria shqiptare ka dhënë ndihmë reale për biznesin këtë vit për t’u përballur me pandeminë.” – shtoi Bozdo.

Në fund përfaqësuesi i PD-së, tha se reforma energjitike në vend ka dështuar përtej progapandës së kryeministrit Rama. Ai premtoi se PD-ja ka një plan strategjik për rimëkëmbjen ekonomike dhe ai do çojë në uljen e ndjeshme e të menjëhershme të çmimit të energjisë elektrike.

“Pra e ashtuquajtura reformë në sistemin e energjisë elektrike, propaganduar me forcë nga Edi Rama dhe maxhoranca, ka dështuar totalisht. Partia Demokratike, Lulzim Basha, e konsideron sektorin e energjisë elektrike jetik dhe strategjik. Ne kemi një plan të detajuar për rimëkëmbjen ekonomike. Plani ynë do të sjellë jo vetëm uljen e ndjeshme e të menjëhershme të çmimit për konsumatorët familjarë dhe për bizneset, por do të realizojë mirëmenaxhimin e të tre kompanive që operojnë në këtë sektor, duke çrrënjosur përfundimisht nepotizmin dhe veçanërisht megakorrupsionin që ka kapur sektorin si tipar dallues i qeverisjes Rama.” – mbylli deklaratën Bozdo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *