Vendosni fjalën kyçe....

Kina thërret ambasadorin amerikan: Vizita e Pelosit në Tajvan akt shumë i rëndë, do marrim masa


Zëvendësministri i Jashtëm Xie Feng ka thirrur urgjentisht ambasadorin e SHBA në Kinë, Nicholas Burns të martën mbrëma, për të paraqitur ‘kritika të ashpra’ mbi vizitën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Pelosi në Tajvan dhe për të paralajmëruar Uashingtonin që të mos shkojë më tej në ‘rrugën e rrezikshme’ të antagonizimit të Pekinit.

“Lëvizja është jashtëzakonisht e rëndë dhe pasojat janë jashtëzakonisht të rënda. Kina nuk do të rrijë duarkryq.” – i tha Xie Burns, siç citohet nga Xinhua.

“Tajvani do kthehet përfundimisht në përqafimin e atdheut.” – shtoi Xie, duke vënë në dukje se asnjë forcë dhe asnjë individ nuk duhet të nënvlerësojë kurrë ‘vendosmërinë e fortë, vullnetin e fortë dhe aftësinë e madhe’ të popullit kinez për të ‘mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial’.

“SHBA duhet të paguajë çmimin për gabimin e vet. Kina do marrë kundërmasat e nevojshme dhe të vendosura dhe ne bëjmë atë që themi.” – tha diplomati për gazetën shtetërore të Kinës Global Times.

Pasi Pelosi u ul në Taipei të martën vonë, Pekini njoftoi një seri ushtrimesh ushtarake dhe stërvitje me zjarr të vërtetë në gjashtë zona të mëdha detare dhe hapësirën e tyre ajrore rreth Tajvanit.

“Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze është në gatishmëri të lartë dhe do nisë një sërë operacionesh ushtarake të synuara për të kundërshtuar këtë, për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial dhe për të penguar me vendosmëri ndërhyrjen e jashtme dhe përpjekjet separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’.” – tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Wu Qian.