Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: 5 prioritetet e LSI-së për zgjedhjet


Në Shqipëri, një intervistë për Zërin e Amerikës kryetarja e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, flet për premtimet e kësaj force politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, marrëdhënien me Partinë Demokratike me të cilën ajo ka firmosur një marrëveshje për bashkëqeverisje apo dhe qëndrimin ndaj Reformës në Drejtësi e procesit të vaksinimit kundër COVID 19.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, së pari ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Do të doja ta nisja një pyetje rreth premtimeve të LSI-së gjatë kësaj fushate. Si çdo parti premtimet janë të shumta, por a mund të na thoni se cilat janë boshtet e ofertës suaj përballë shqiptarëve, ato për të cilat pas 4 vitesh nëse fitoni ju do të mund të thoni që i keni realizuar?

Monika Kryemadhi: Unë do ju përgëzoja shumë për pyetjen tuaj, sepse në të gjitha televizionet që shkoj debatin kryesor e kemi “më the të thashë”, por asnjë nuk na jep mundësinë dhe artikulimin që ne të flasim për programet tona. Ne si LSI me grupin e punës dhe të programit kemi artikuluar 5 prioritete kryesore, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me arsimimin e të rinjve që është një nga prioritetet tona kryesore dhe rritja e standardit të cilësisë së arsimit, çështjen e punësimit të të rinjve duke pasur ata paga të mirëpaguara. Është projekti më i bukur që ka një përkrahje të jashtëzakonshme sidomos te çiftet e reja dhe tek të rinjtë “Nga bebja në bebe”. Prioriteti për bujqësinë, me pajisjen me kartë të fermerit që krijon ndihmën e drejtpërdrejtë, jo vetëm për sa i përket mosfunksionimit të subvencioneve të cilat për hir të së vërtetës kur flitet për subvencione në Shqipëri të gjithë fermerët e mendojnë fjalën korrupsion, sepse asnjë herë subvencioni nuk shkon drejtpërdrejtë tek ata, por ngel rrugës nëpër zyrat burokratike të institucioneve shtetërore.

Dhe një nga pikat tona kryesore është dhe rimbursimi me 5% të shpenzimeve, e cila krijon mundësinë e formalizimit të ekonomisë shqiptare. Një nga problemet më të mëdha që ka sot ekonomia shqiptare është informaliteti i cili krijon jo vetëm evazion fiskal, por nuk arrin dot që buxheti i shtetit të ketë mbushjen e arkës së tij nëpërmjet të ardhurave që vijnë dhe kjo edhe pse qytetarët shqiptarë, edhe pse ata që jetojnë në minimumin jetik arrijnë të paguajnë çdo qindarkë të taksave, por ajo nuk mblidhet asnjëherë në arkën e shtetit. Nëpërmjet kësaj skeme të rimbursimit të 5% të shpenzimeve të familjeve shqiptare, ata deri në fund të vitit do të kenë mundësi që ose në fund të çdo muaji, sepse kjo varet, krijon hapësirën e rikthimit të një vlere monetare, që për disa familje mund të shërbejë për pagesën e internetit, për pagesën e çerdhes apo kopshtit të fëmijëve të tyre, për të shtuar një shpenzim tjetër në shtëpi apo për të ndihmuar edhe prindërit e tyre nëpërmjet një pensioni shtesë në fund të vitit. Ndërkohë që nga ana tjetër rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Jo për shkak të analizave që ka bërë LSI, por si rezultat i të gjithë raporteve të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, qoftë Banka Botërore, qoftë FMN, qoftë edhe raporti i fundit i CIA-s ku thuhet që 50% e GDP është informale, që i bie rreth 7 miliard dollar të cilat nuk taksohen, janë para që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit. Kjo gjë nuk bëhet nëpërmjet grykëve të pushkës apo taborëve të policisë, të cilët kërcënojnë bizneset e vogla, por asnjëri nuk merr guximin për të vajtur te bizneset e mëdha, tek oligarkët . Dhe çfarë ndodh, është që jo vetëm ka rritur normën e korrupsionit, por ka bërë që arkës së shtetit t’i shkojnë më pak para. Një sistem i tillë ku të gjithë qytetarët janë të interesuar për të formalizuar ekonominë, nuk është skemë e shpikur nga ne, është skemë e cila ka funksionuar në formalizimin e ekonomisë së shumë vendeve që kanë kaluar në periudhën e tranzicionit. Shumë vite më parë e ka bërë Greqia, Turqia, Italia dhe shumë vende të tjera evropiane.

Për të folur pastaj për arsimin, taksën 1% për bizneset e mëdha, e cila është një taksë që shkon vetëm për arsimin, sepse ndodh rëndom që ne paguajmë 340 lekë litër naftë për taksën e rrugës së Kombit, por në fakt këto para nuk shkojnë për rrugën e Kombit, sepse do ta kishim paguar 10 herë deri tani, por duhet të shkojë drejtpërsëdrejti tek arsimi. Dhe me këtë 1% arrijmë që ne të mbajmë dhe premtimin e 5% të GDP për arsimin.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zonja Kryemadhi a ka një faturë financiare të këtyre ndërhyrjeve, sepse ju flisni për irmbursime, ulje taksash, rimbursime. Të gjitha këto a kanë një faturë financiare?

Monika Kryemadhi: Sigurisht që ka një faturë, por nuk ka investim nga buxheti i shtetit. Kur ne kemi bërë propozimin për 5% e rimbursimit të familjeve shqiptare ne kemi bërë dhe një konsultim me ekspertë të bankave të niveleve të dyta, të cilat janë goxha të interesuara sepse fillon jo vetëm formalizimi nëpërmjet sistemit bankar, fillon në një farë mënyre edhe inventarizimi i të gjithë lëvizjes monetare, që do të ndodhë në ekonominë shqiptare. Por nga ana tjetër fillon dhe qarkullon vlera monetare, e cila qëndron dashje pa dashje e bllokuar në familjet shqiptare për shkak të frikës së panikut të pandemisë, të krizave ekonomike që ndodhin herë pas here.

Dhe bankat e nivelit të dytë janë ato më të interesuara se kushdo tjetër për ta krijuar një sistem të tillë për shkak edhe të qarkullimit të vlerave monetare, që vijnë nëpërmjet dyqaneve, sepse në shumë dyqane njerëzit e konsumojnë blerjen e bukës 700 lekë të vjetra, por nuk e paguajnë me një kartë krediti. Por ama një familje do ta merrte TVSH-në e 700 lekëve të vjetra të bukës, që i bie gati 140 lekë të vjetra, ku çdo ditë për dy bukë i thonë 280 lekë të vjetra. Në 280 lekë që konsumojnë familjet shqiptare, shto sheqerin, shto vajin, shto orizin, shto vezën, të gjitha janë para të cilat asnjëherë nuk marrin as faturën tatimore, as nuk deklarohen dhe as nuk janë pjesë e shpenzimit të përditshëm.

Kur ne bëjmë përllogaritjen më të thjeshtë, sipas raportit të Bankës Botërore, minimumi jetik në Shqipëri është 2 dollarë në ditë për frymë, që do të thotë vetëm në Tiranë jetojnë gati 1 milionë qytetarë. Në bazëne të dhënave të Partisë Socialiste janë 910 mijë votues, pa llogaritur familjet. Pra llogarisni sa para janë, të cilat qarkullojnë në jetën e përditshme, të cilat nuk tatohen absolutisht dhe nuk derdhet asnjë lloj tatimi në buxhetin e shtetit.

Pra kjo do të sjell vërtetë një investim fillestar, që vjen nga bankat e nivelit të dytë, të cilat po i quajmë biznese private ose që janë jashtë investimit të buxhetit të shtetit, por janë para të cilat në një kohë shumë të shkurtër do të rrisin jashtëzakonisht shumë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Këtu ka vetëm një humbës në këtë rast. Në këtë rast humbës janë evazionistët e mëdhenj, ata që bëjnë evazionin e madh fiskal, që fshehin të ardhurat e tyre, ata që paguajnë TVSH në hyrje, por nuk paguajnë TVSH në shitje, e cila është me fatura stratosferike, të paktën nga eksperiencat që kemi dhe denoncimet që janë bërë herë pas here. Dhe nga ana tjetër korrupsioni në administratën tatimore, ku një dyqani lagjeje i vendoset gjobë prej 10 milionë lekësh, ndërkohë që ke supermarkete të mëdha, të cilat kanë jo vetëm ushqime të skaduara, por edhe shumë probleme të tjera, të cilat s’kanë hyrje, po themi inventarizimi, të cilave jo vetëm nuk u shkel njeri në derën e tyre, por përkundrazi luajnë edhe me lojëra të pista duke mos pasur konkurrencë fare.

Zëri i Amerikës: Po ju megjithatë keni një marrëveshje me Partinë Demokratike për bashkëqeverisje. Ju po flisni me shumë entuziazëm për këtë pikë të programit tuaj, por si do integrohet programi juaj me atë të Partisë Demokratike? Cilat janë pikat për të cilat ju nuk do të lëshoni?

Monika Kryemadhi: Sigurisht që jemi rakorduar dhe kemi rënë dakord. Ne kemi qenë për taksën e sheshtë 10 % dhe Partia Demokratike ishte për 9% dhe u dakordësuam për numrin 9. Ndërkohë që për të gjitha këto 5 prioritete, për të cilat ne i kemi quajtur të qarta që janë 5 prioritete të panegociueshme, normalisht që janë të realizueshme dhe nuk kanë asnjë lloj përplasjeje me angazhimet e Partisë Demokratike. Ashtu sikurse, edhe në marrëveshjen e 1 marsit që ne kemi firmosur me Partinë Demokratike, janë edhe 13 pika të tjera, për të cilat ne jemi angazhuar bashkarisht politikisht të dy kryetarët e partive në emër të forcave politike që ne përfaqësojmë.

Të tëra këto raste, për hir të së vërtetës, pavarësisht komunikimit publik që mundohemi të jemi dhe të kujdesshëm, por edhe komunikimi njerëzor i strukturave të LSI-së dhe Partisë Demokratike nga ana programe dhe e grupeve të punës, ka qenë i drejtpërdrejtë, komunikues dhe shumë i afërt. Po të kemi parasysh disa aktivitete që janë bërë, round tables që janë bërë, qoftë për arsimin. Ne për Ligjin e Arsimit të Lartë kemi këndvështrime të ndryshme dhe po të shikosh edhe në angazhimet tona, edhe në angazhimet e Partisë Demokratike, kemi disa pika për të cilat ne nuk jemi dakordësuar, sepse ne kemi këndvështrim komplet tjetër, sepse ne duam përfshirjen e grupeve të interesit në hartimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, ku grupi kryesor i interesit janë universitetet, qofshin këto publike apo private, por si lokomotivë tërheqëse e kësaj iniciative duhet të jetë universiteti publik, duke pasur parasysh që ne jemi një forcë e majtë dhe i qëndrojmë po themi fort forcimit të universiteteve publike. Ashtu sikurse për çështjen e subvencioneve në bujqësi. E rëndësishme është që ne të krijojmë hapësira të drejtpërdrejta. Edhe Partia Demokratike, edhe ne, jemi për subvencione në bujqësi, për uljen e çmimeve të pesticideve, por ajo që është akoma më e rëndësishme angazhimi i të dyja palëve që jemi bashkë, është krijimi i tregut dhe garancia e shitjes së prodhimeve vendase, gjë që është një nga gjërat më të rëndësishme, sepse krijojmë hapësirë të jashtëzakonshme për punësimin dhe një pagë të mirëpaguar për fermerët tanë.

Zëri i Amerikës: Lëvizja Socialiste për Integrim në fakt ka bashkëpunuar edhe më parë me Partinë Demokratike në qeverisje, gjithashtu edhe me Partinë Socialiste. Në të dyja rastet në mos gaboj divorcet nuk kanë qenë edhe fort të këndshme. Sa i sinqertë është ky bashkëpunim me Partinë Demokratike, në sensin që lindi si një objektiv kryesor për të larguar kryeministrin Rama?

Monika Kryemadhi: Që të jemi të sinqertë bashkëpunimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim në të dyja rastet, qoftë me Partinë Demokratike, qoftë me Partinë Socialiste, kanë qenë bashkëpunime të cilat kanë të bëjnë për sa i përket strategjisë dhe momenteve të caktuara kohore. Të paktën për aq informacion sa kam unë dhe sa kam qenë prezentë në strukturat e LSI-së, bashkëpunimi i 2009-ës, marrëveshja e 2009-ës ka qenë sepse ishin 70 me 70 mandate, pra nuk bëhej e mundur dhe ishte një nga prioritetet kryesore liberalizimi i vizave për shqiptarët. Marrëveshja me PD-në kishte të bënte jo vetëm me liberalizimin e vizave. Ne nuk e mohojmë dot që ajo ndodhi, sepse në dhjetor të 2010-s shqiptarët lëvizën në Evropë me pasaportën e tyre shqiptare, pa pasur nevojë që të rrinin në radhët e gjatë me javë e me muaj të tëra në dyert e ambasadave të huaja në Shqipëri.

Ndërkohë nga ana tjetër ishte edhe procesi i integrimit dhe marrjes së statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, gjë që ne e kemi harruar por duhet ta kujtojmë herë pas here se si kushti i marrëveshjes së LSI me Partinë Socialiste ishte të votonte tre ligjet për marrjen e statusit kandidat. Më pas normal që marrëdhënia e LSI-së me Partinë Socialiste në 2013-n shkonte drejt një marrëdhënieje natyrale, sepse duam apo nuk duam, LSI-a është parti e majtë dhe vjen si rezultat e një strukture të konsoliduar siç ishte forumi rinor eurosocialist shqiptar, pjesa më e madhe e tyre, në 2004-n, nga Partia Socialiste për shkak të sjelljes arrogante të lidershipit të asaj kohe. Duke qenë edhe vetë strukturë rinore që pjesa kryesore e saj edhe e votuesve, edhe e të gjithë lidershipit të saj është shumë e re, kjo e bën një të ri që të jetë më i majtë dhe nuk është racional sa ç ‘mund të bëhet një moshë tjetër pak më e pjekur dhe fillon kalkulon financiarisht dhe ekonomikisht.

Zëri i Amerikës: Kaq e lehtë është mes jush që të kaloni nga akuzat e forta ndaj njëri – tjetrit në bashkëpunim, sepse kujtoj fushatën e 2017-s ku si PD ndaj jush, por edhe ju ndaj Partisë Demokratike dhe zotit Basha, keni pasur polemika të forta, qoftë edhe akuza?

Monika Kryemadhi: Të dyja rastet, qoftë për njërën palë, qoftë për palën tjetër, unë si Monikë personalisht nuk kam asnjë lloj tërheqjeje për atë që them. Akuzat e mia për zotin Basha vazhdojnë të jenë përsa i përket marrëveshjes së 2017-s dhe e dimë, ne jemi koshient që, në qoftë se LSI e solli Edi Ramën në 2013-n në pushtet me idenë që ishte koha e tij, sepse në fund të fundit ishte kryetari i Partisë Socialiste dhe i takonte Partisë Socialiste të drejtonte në atë kohë, në 2017-n ishte zoti Basha që e mbajti zotin Rama kryeministër, kështu që, qoftë LSI-ja apo qoftë PD-ja me djegien e mandateve i vunë vizën një lloj bashkëpunimi politik, që në shumicën e rasteve bashkëpunimi politik edhe për shkak të kulturës evropiane apo edhe të kulturës së politikës ndërkombëtare në vendet e zhvilluara, bashkëpunimi politik është një domosdoshmëri e cila e çon zhvillimin përpara.

Por, në Shqipëri, gjithmonë, bashkëpunimi midis forcave politike apo edhe e stabilitetit politik që mua me thënë të drejtën më ka krijuar pak skepticizëm kur ne flasim për stabilitet politik. Kam kuptuar që në tranzicion stabiliteti politik nuk është stabilitet politik. Në tranzicion, është varfëri për qytetarët shqiptarë dhe është kapje e shtetit dhe mendoj që kur ne vazhdojmë akoma dhe flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, mendoj që ky stabilitet politik jo vetëm që nuk i ka ofruar shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo vetëm që nuk ia ka ofruar Bashkimin Evropian dhe Evropën e vërtetë dhe demokracinë e vërtetë, por e ka kthyer mbrapa në kohë, e ka kthyer në diktaturën e krimit.

Dhe unë mendoj që një nga gjërat kryesore është investimet që duhet të bëjnë të gjitha forcat politike, sidomos kjo klasë politike duhet të investohet në një klasë të re politike, në një mentalitet të zhvilluar evropian të shkolluar dhe të mos harrojmë që ka qindra e mijëra, të rinj e të reja, që janë shkolluar jashtë shtetit, punojnë jashtë shtetit dhe janë të gatshëm të kthehen në Shqipëri, por natyrisht që kërkojnë një ambient ku në radhë të parë të jenë të sigurt për të ardhmen e tyre. Së dyti të kenë siguri ligjore dhe në radhë të tretë të kenë mundësi ku ato të zhvillojnë kapacitetet e tyre intelektuale e profesionale, gjë për të cilën Shqipëria po bëhet çdo ditë e më shumë e varfër.

Zëri i Amerikës: Znj. Kryemadhi, reforma në drejtësi mbetet një temë kryesore diskutimesh, debatesh. Ju vetë jeni shprehur kritike ndaj mënyrës së zbatimit të kësaj reforme, por në rast se ju bashkë me Partinë Demokratike do të vini në pushtet, çfarë mendoni se duhet rregulluar ose ju mendoni që nuk është zbatuar si duhet, atëherë çfarë duhet bërë, çfarë duhet korrigjuar sipas jush?

Monika Kryemadhi: Ndoshta duhet ta kthejmë pyetjen në anën tjetër. Unë vetë si Monika Kryemadhi, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, jam e bindur edhe vetë Partia Demokratike kemi votuar një reformë në drejtësi në dakordësi me të gjitha institucionet ndërkombëtare, me Komisionin e Venecias, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian në korrik të 2016-s dhe për herë të parë si asnjëherë në 30 vitet e tranzicionit dhe të pluralizmit politik ne kemi pasur një dakordësi 100 për qind, me 140 deputetë në Parlament. Për tetë ligjet e reformës, Partia Demokratike ka pasur opsionet e veta, ndërsa ne kemi votuar. Dhe ne nuk i kthehemi mbrapsht absolutisht dhe nuk mendojmë se duhet korrigjuar asgjë nga ajo çfarë kemi votuar në 21-22 korrik të 2016-s. Më pas ndodhi deformimi dhe kapja e asaj që zoti Rama e deformoi, e ndryshoi, e kapi, e tjetërsoi, e për të cilën unë mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi dashje pa dashje, diku me indiciet tona personale apo diku me preferencat tona personale, edhe familjare, shkojmë dhe kemi bërë një gabim shumë të madh, i cila faktikisht i ka kushtuar jashtëzakonisht Shqipërisë.

Sepse sot problemi i reformës në drejtësi është se ne akoma nuk e kemi të ndërtuar Gjykatën Kushtetuese , kemi një Gjykatë të Lartë që nuk është funksionale, kemi gjykata të cilat po shkojnë drejt margjinalizimit. Procesi i vetingut akoma vazhdon dhe ne e dimë shumë mirë që është në një sulm ndoshta mediatik. Kanë frikë të dalin e të flasin, pasi ne e dimë shumë mirë se është jashtëzakonisht e vështirë për të dalë në ekrane të mëdha dhe për të shprehur opinion , themi që është në një terr informativ e gjithë shoqëria shqiptare. Ndërkohë nga ana tjetër njerëzit vuajnë qoftë për të marrë dhe një divorc ose për të pasur kujdestarinë e fëmijës së tyre apo të marrë pagesën e tyre. Pra kur një grua është pa punë e divorcuar nga bashkëshorti dhe nuk arrin do të gjej të drejtën e saj në dyert e gjykatës mendoni pastaj se çfarë mund të themi për gjëra të tjera që janë më të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Këto janë konstatime nga ana juaj. Si ju do e ndryshoni situatën për të cilën flisni?

Monika Kryemadhi: Këto janë konstatime dhe janë të vërteta. Mjaftojmë të zbatojmë atë që kemi vendosur në 21 dhe 22 korrik të 2016 dhe atë që ka vendosur dhe firmosur Komisioni i Venecias. Unë nuk mendoj se Monika Kryemadhi është më eksperte se Komisioni i Venecias dhe është më eksperte se ata të cilët e kanë përgatitur dhe ja kanë ofruar parlamentit shqiptar në dakortësi me Partinë Demokratike dhe 20 votat e LSI-së të asaj kohe dhe Partisë Socialiste të 2016. Pra mendoj se dakortësia më e mirë dhe profesionale e 2016 nuk mund të ofroj dot Monika Kryemadhi apo dikush tjetër, në këto kushte të tensionit dhe të kapjes së zinxhirit shtetëror duke filluar nga koka e Kryeministrit dhe deri mund të themi tek patronazhisti i fundit që shet fara tek rruga, dmth këtu ka arrit sot sistemi i ynë.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi më lejoni dhe një pyetje të fundit. Pandemia sot është një problem botëror, Shqipëria ka nisur një proces vaksinimi dhe po përdor katër vaksina Pfizer, AstraZeneca Sinovac-un dhe pret dhe ngarkesa me vaksina ruse. Cila do të jetë qasja e jua në rast të ardhjes në pushtet?

Monika Kryemadhi: E para unë jam një person që e kërkoj vaksinimin e popullatës se kam vuajtur nga në sëmundje dhe ju bëj thirrje të gjithë grave dhe vajzave shqiptare për t’u vaksinuar për çështjen e kancerit të qafës së mitrës dhe siç është kjo, është dhe çështja e pandemisë COVID-19 e cila ka krijuar një situatë terrori psikologjik dhe tek njerëzit dhe tek ekonomia shqiptare.

Unë si Monika Kryemadhi mendoj që shqiptarët nuk mund të jenë një popullatë që të bëhet eksperiment duke u vaksinuar me vaksina nga të cilat nuk ju dihet origjina. Por çdo bashkëpunim i institucioneve të shëndetësisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare siç janë ato evropiane dhe ato të SHBA-së sepse janë dy institucione që duhet të certifikojnë vaksinat që shteti shqiptar duhet t’u bëjë shqiptarëve, e para dhe e dyta unë jam e bindur që asnjë politikan dhe as një forcë politike nuk është kundër vaksinimit , qytetarët shqiptar përkundrazi duhen vaksinuar dhe duhet vaksinuar me shpejtësinë më të madhe , sigurisht duhen vaksinuar me vaksinat më të mira, me ato që vaksinohen dhe gjermanët dhe danezët dhe amerikanët dhe kushdo tjetër.

E them këtë pasi unë nuk vë njeri mbi veten time. Ne jemi evropian nuk jemi eksperimental dhe them që duhet ti japim fund eksperimenteve që kanë bërë në Shqipëri. Ka ardhur koha që shqiptarët të vendosin vetë për familjen e tyre dhe unë mendoj se kemi me qindra dhe mijëra djem dhe vajza shqiptare që jetojnë në Amerikë, që kanë studiuar në Amerikë që punojnë atje dhe janë të gatshëm të vijnë të punojnë në Shqipëri. E kam diskutuar këtë çështje dhe për Reformën në Drejtësi . Janë 10 mijë shqiptarë që janë diplomuar në jurisprudencë në Amerikë që mund të ishin pjesë e sistemit të drejtësisë por as akreditimet e diplomave nuk i ka pranuar ministria këtu që të mos mund të kishin mundësi të merrnin pjesë në garën për të marrë pjesë në ngritjen e organeve të Reformës në Drejtësi . E kam thënë në Zërin e Amerikës dhe po e them përsëri: Shqiptarët e adhurojnë Amerikën nuk duhet ta shpërdorojmë këtë dashuri dhe adhurimin që shqiptarët kanë për Amerikën, por duhet ta kthejmë në forcë dhe duhet ta kthejmë në prezencë amerikane dhe në sa më shumë investime amerikane në Shqipëri. Se një shtet i fortë krijon mundësinë për sjelljen e investime të huaja. Nëse ne do të kemi investime të huaja, ato amerikanet do të jenë ato që janë më të forta më të sigurta dhe që do të garantojnë stabilitetin dhe sigurinë në Shqipëri dhe në rajon. E besoj këtë gjë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Zërit të Amerikës


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *