Vendosni fjalën kyçe....

Video e re e “profesorit”- Hodges: Arkeologët shqiptarë tërë ditën raki e shpik histori


Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka publikuar një tjetër fragment nga një leksion i Richard Hodges, kreut të Fondacionit të zgjedhur për Menaxhimin e Butrintit.

Në këtë video Hodges tregon mendimin që ai ka për shqiptarët, në këtë rast për arkeologët në Shqipëri. Sipas tij, metoda e përdorur për të zbuluar historinë përmes arkeologjisë ishte një gotë rakie pas një tjetre tërë ditën dhe shpikja e një historie pa lidhje fare. Por ai me grupin e tij pretendon se sollën ndryshimin.

“Në një farë mënyre këta zotërinjtë ma blenë këtë ideologji, një ideologji. E periudhës të pas viteve ’90.

Puna jonë siç ju thash dhe ditën e kaluar ishte shumë, shumë e vështirë sepse për të gërmuar shqiptarët kishin një tjetër mënyrë. Një mënyrë shumë e thjeshtë. Ti shkon në mëngjes për gërmim, lëri punëtorët vetëm, pastaj shko në bar, pi tërë ditën raki pas rakie, pastaj kthehu dhe gjen nivele, pastaj shpiket një histori pa lidhje fare, ashtu si e kishe në tru që në fillim. Idetë tona ishin pak ndryshe. Bëmë një kërkim të ri të periudhës, të qytetit, të zonës, të liqenit….”– shprehet Hodges.

 

Kjo video vjen vetëm pak javë pas qarkullimit të një tjetër leksioni, ku profesori Hodges para studentëve e cilësonte vendin tonë si produkt të fuqive të mëdha dhe shtet të formuar pa pasur asnjë shqiptar në kohën e themelimit.

“Është një vend (Shqipëria) i krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar, nga anglezët dhe fuqitë e tjera të mëdha në Londër. Morën një vendim politik pas Luftës së Dytë Ballkanike”– thotë Hodges, sipas të cilit Butrinti i ishte dhënë shqiptarëve pa të drejtë nga Fuqitë e Mëdha, duke zmrapsur popullatën greke në zonën e quajtur Epir të cilët ikën sipas tij në Korfuz dhe në Greqi si rezultat i shqiptarëve.