Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i Fondacionit të Butrintit dikur e konsideronte Shqipërinë shtet artificial i krijuar pa shqiptarë: Dëbuan grekët në jug (Video)


Kreu i Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin, Richard Hodges gjatë një leksioni të mbajtur vite më parë për studentët në Romë e cilëson Shqipërinë një shtet të krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar.

Në një video të publikuar nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore shfaqet Hodges teksa jep leksione para studentëve duke e cilësuar vendin tonë si produkt të fuqive të mëdha dhe shtet të formuar pa pasur asnjë shqiptar në kohën e themelimit.

“Është një vend (Shqipëria) i krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar, nga anglezët dhe fuqitë e tjera të mëdha në Londër. Morën një vendim politik pas Luftës së Dytë Ballkanike”, thotë Hodges.

Më pas, në të njëjtin leksion Richard Hodges i referohet autonomisë së zgjeruar që mori për pak kohë nga Princ Vidi dhe “Protokolli i Korfuzit” jugu i Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe Korçën. Këtu, Hodges përkundër fakteve historike flet edhe për dëbim të grekëve.

“Për një moment të shkurtër, kjo zona këtu (tregon me gisht jugun e Shqipërisë) ishte një zonë e ndarë ishte Epiri. Por, me ndërhyrjen e fuqive të mëdha, kjo zonë u mbyll dhe shumë grekë u larguan për më në jug”, thotë ai.

Forumi për Trashëgiminë Kulturore ka reaguar duke u kërkuar deputetëve që miratuan si ligjin për kulturën, ashtu edhe koncesionin e Butrintit që të reflektojnë.

“Zotërinj deputetë, ju që votuan ligjin për dhënien e Butrintit te një fondacion i huaj! Ju që nuk lexuat asnjëherë ligjin Kumbaro, që do të sjellë një rrezikshmëri të lartë për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ju që votuat emrat që ju vuri përpara ministrja Margariti, ku emri i Richard Hodges ishte lideri shkencor që do të shkruajë historinë e Butrintit. Ju që dëgjuat me vëshët tuaj kur Kryeministri ju tha në Parlament se Richard Hodges ishte miku i tij…”, thotë Forumi.

Kalimi i menaxhimit të Butrintit te një fondacion privat u miratua mes debateve në Kuvend. Për këtë qëllim është themeluar Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Sipas ligjit të miratuar, fondacioni i krijuar do të menaxhojë për të paktën 10 vite Butrintin, ndërsa parashikon fondacioni të investojë rreth 7 mln dollarë. Megjithatë, nga opozita kanë akuzuar se për 10 vite, Butrinti do të gjenerojë të paktën 50 mln dollarë të ardhura për fondacionin, ndërsa koncesioni i hap rrugë ndërtimit të hoteleve dhe resorteve në zonën e mbrojtur.

Ndërkohë, sipas kësaj videoje të Hodges, që sot do të menaxhojë një prej trashëgimive kulturore e historike më të rëndësishme të shqiptarëve mendon që shqiptarët nuk ekzistojnë dhe se shteti i formuar është produkt artificial i fuqive të mëdha.

Përveç kësaj, ai shfaqet në të njëjtat linja me ekstremistët grekë sa i takon jugut të Shqipërisë, ku rasti më i fundit i shprehjes së ekstremizmit grek dhe synimeve të tyre u shpërfaq gjatë ngjarjeve që pasuan vrasjen e Konstantinos Kacifasit në Bularat.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazetasi