Vendosni fjalën kyçe....

Prindërit shqiptarë braktisin djalin në Autogrill dhe largohen, autoritetet italiane do e mbajnë derisa të arrijë moshën madhore


Një djalë 16-vjeçar me origjinë shqiptare është braktisur nga prindërit në një autogrill përgjatë autostradës A4 drejt Triestes.

Sipas medieve italiane, i mituri ka shkuar në Itali nga Shqipëria rreth një muaj më parë dhe nuk flet italisht. Adoleshenti iu besua shërbimeve sociale të komunës Cessalto, në zonën e Trevisos.

Djali në fakt u braktis në territorin e qytetit të vogël pranë Trevisos. Që nga dita e zbulimit të tij, askush nuk është paraqitur për ta marrë në shtëpi dhe këshilli i bashkisë, që tashmë e ka adoptuar, duhej të mblidhej për të miratuar një fond prej 18 mijë eurosh që do të përdoret për të mbuluar shpenzimet për të miturin të paktën deri në fund të vitit.

Historia tronditi të gjithë komunën e Cessalto. Sipas ligjit, qendra do të sigurojë mbështetjen e të miturit deri në moshën madhore.

“Në Itali funksionon mirëqenia”– shpjegoi kryebashkiaku i sapo zgjedhur Emanuele Crosato.

 Ai shtoi: “Kjo ngjarje e fundit është padyshim më e rënda që kemi hasur”.

Adoleshenti kishte shprehur synimin për të punuar për t’u dërguar para prindërve në shtëpi, por për autoritetet kjo nuk është një rrugë e zbatueshme.

Siç shkruan Fanpage.it, 16-vjeçari do të duhet të shkojë në shkollë dhe të studiojë, ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Ndërkohë bashkia Cessalto, e cila ka rreth 4 mijë banorë, i siguron atij 150 euro në ditë.

“Së shpejti, duhet të kërkojmë kontribute nga Qarku dhe shteti, edhe nëse do të donim realisht të gjenim zgjidhje alternative që nuk ekzistojnë për momentin.”- shpjegoi me shqetësim kryebashkiaku.

 Prej gati një muaji i mituri është transferuar në një strukturë të mbrojtur në zonën e Venedikut.