Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu: Kemi ngritur Komitetin e Ekspertëve për linë e majmunit


Mblidhet Komiteti i Ekspertëve për Parandalimin dhe Kontrollin e Lisë së Majmunit.

Sikurse ka bërë me dije ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ky Komitet është mbledhur sot për të vendosur për planin e masave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

“Kemi ngritur një komitet të ekspertëve për parandalimin dhe kontrollin e lisë së majmunit, duke vendosur prioritet hartimin e një plani të përgjigjes dhe gatishmërisë për të gjitha strukturat, në funksion të parandalimit dhe kontrollit të kësaj sëmundje infektive. Ndaj ky komitet do të punojë për të monitoruar dhe për të ndjekur planin e masave që po hartohet nga ISHP. Tashmë drafti i parë i planit të masave ka përfunduar. Pavarësisht se Shqipëria është një vend që hyn në vendet e nivelit të parë, pra konsiderohet me një risk të ulët, masat tona dhe përgatitja jonë do të jetë e plotë në mënyrë që të fuqizojmë kapacitetet tona.”– tha Manastirliu.

Ajo shtoi se janë marrë masa për fuqizimin e kapaciteteve, duke nisur nga testet laboratorike specifike që tashmë kryhen në ISHP.

Kujtojmë se më datë 23 Korrik, OBSH ngriti alarmin në lidhje me shpërthimin e lisë së majmunëve, duke shpallur këtë virus një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.