Vendosni fjalën kyçe....

Apple lëshon ‘modalitetin e bllokimit’, do mbrojë përdoruesit kundër hakerave


Apple po prezanton një rregullim të ri ‘modaliteti bllokimi’ për të mbrojtur përdoruesit e cenueshëm si gazetarët dhe aktivistët politikë kundër sulmeve nga hakerat me fuqi të lartë nga aplikacionet spiunuese si Pegasus i NSO Group, programi i zhvilluar nga Izraeli që lejon përdoruesin të spiunojë fshehurazi pronarin e një pajisjeje përmes kamerës, ekranit dhe mikrofonit të tij.

Përditësimi i ri do vijë me iOS 16, që do dalë në vjeshtë, njoftoi kompania të mërkurën, duke shpjeguar se cilësimi i ri ishte menduar për përdoruesit që përballen me ‘kërcënime të rënda dhe të synuara ndaj sigurisë së tyre dixhitale’. Ai gjithashtu do përfshihet me iPadOS 16 dhe macOS Ventura.

Modaliteti i bllokimit do bllokojë shumicën e bashkëngjitjeve të mesazheve dhe do bllokojë thirrjet hyrëse të FaceTime nga përdoruesit që zotëruesi i pajisjes nuk i ka kontaktuar më parë. Gjithashtu do parandalojë qasjen në një iPhone kur lidhet me një kompjuter ose pajisje shtesë nëse telefoni është në një gjendje të kyçur.

Grupi NSO ka këmbëngulur se ua shet spyëare-in e tij vetëm qeverive që planifikojnë ta përdorin për të gjurmuar terroristët dhe kriminelët e tjerë dhe pretendon se kontrollon me rigorozitet të dhënat e të drejtave të njeriut të klientëve përpara se t’i lejojë ata të përdorin aplikacionin.

Megjithatë, Pegasus u ekspozua se kishte spiunuar në telefonat e qindra gazetarëve dhe aktivistëve politikë dhe besohet se ishte përdorur për të synuar dhjetëra mijëra të tjerë, sipas një hetimi të fundit.

Qeveritë e shumë vendeve janë akuzuar për përdorimin e tij kundër opozitës politike. Ndërsa Apple nuk ka zbuluar se sa përdorues të iPhone janë sulmuar përmes Pegasus ose programeve të kopjimit, ajo po e padit kompaninë në SHBA.

Gjiganti i teknologjisë pret që modaliteti të përdoret nga një ‘numër shumë i vogël përdoruesish’. Ai do përfshinte vetëm ata që rrezikohen të shënjestrohen nga ‘kërcënimet dixhitale më të sofistikuara, si ato nga NSO Group dhe kompani të tjera private që zhvillojnë spiunë mercenar të sponsorizuar nga shteti’. Ndërkohë, ajo ka ofruar një shpërblim prej 2 milionë dollarësh për këdo që mund të gjejë një mënyrë për të anashkaluar mbrojtjet e reja.

Pegasus mund të infektojë një telefon përmes sulmeve ‘zero-click’ të cilat nuk kërkojnë që përdoruesi të shkarkojë një shtojcë ose të ndërveprojë me hakerin.

Ndërsa llojet e mëparshme të spyëare-it kërkonin që përdoruesi të shtypte në një lidhje në një tekst ose email, llojet më të fundit të progreme të spiunimit shfrytëzojnë të metat e sigurisë në sistemin operativ të një pajisjeje, që do të thotë se përgjegjësia është e Apple (ose Google, në rastin e telefonave Android ) për t’u siguruar që përdoruesit janë të sigurt.

Përcaktimi nëse një telefon është infektuar nga Pegasus është pothuajse i pamundur për përdoruesin mesatar, pasi aplikacioni fshihet në rrënjën e sistemit operativ dhe vetëshkatërrohet nëse nuk është në gjendje të ‘spiunojë’ për një kohë të caktuar.